Gjykata e Apelit hodhi shortin këtë të martë, më 17 maj, për të caktuar gjyqtarët që do shqyrtojë kërkesën e Rithemelimit, për të mos pranuar ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, i cili kërkon prishjen e vendimit të dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili njeh Komisionin e Rithemelimit si drejtues të Partisë Demokratike.

Mësohet se kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Elona Toro, gjyqtari Genti Shala dhe gjyqtarja Edlira Petri.

Ata do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos, që Enkelejd Alibeaj të mos bëhet palë në PD.

Në datë 16.05.2022, u depozituan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë :

(i) Kundërankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, me të cilin është kërkuar mospranimi i ankimit të bërë nga Z. Enkelejd Alibeaj datë 04.04.2022;

(ii) Ankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, kundër vendimit nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin kërkohet prishja e këtij vendimi, duke vendosur mospranimin e ankimit të palës ankuese Partia Demokratike e Shqipërisë, të përfaqësuar nga nënkryetari Z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sot në datë 17.05.2022 u depozitua pranë Gjykatës së Apelit Tiranë çështja e mësipërme dhe aktet e sipërcituara”,-njoftoi Gjykata e Apelit Tiranë.