Hidhet shorti për emërimet e reja për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Nga radhët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarë të KED janë zgjedhur Albin Binaj dhe Fiona Papajorgji. Anëtarja zëvendësuese e KED-së nga radhët e Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur Vitore Tusha. Nga radhët e Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni është zgjedhur anëtar i ri i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga Gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën 1 janar të çdo viti kalendarik.