Ish portieri i Kombëtares Shqiptare, që aktualisht mbron katërkëndëshin e Teutës së Durrësit, Isli Hidi foli për arsyet që e bindën të rikthehen në kampionatin shqiptar, si dhe çelësin e suksesit të Teutës, por edhe objektivat e kësaj skuadre, që aktualisht mban vendin e tretë të renditjes.
Oblak, apo ter Stegen, cili portier të pëlqen më shumë?
Janë të dy portierë të kompletuar dhe shumë të mirë, por unë jam tifoz gjerman dhe po zgjedh ter Stegen.
Morët një fitore të mundimshme ndaj Luftëtarit…
Ishte një ndeshje e vështirë, por jemi të lumtur që morëm 3 pikët në këtë sfidë. Kampionati është i vështirë dhe të gjitha skuadrat janë konkurruese, por ne duam t’i marrim ndeshjet me radhë dhe shpresojmë që të jemi në grupin e kreut të ndeshjes.
Kush të bindi të rikthehesh në Shqipëri, Blendi Shkëmbi apo Teuta?
Dua të falënderoj në radhë të parë Blendi Shkëmbin, që më telefonoi dhe më ofroi të kthehem në Shqipëri. Gjithashtu nuk mund të lë pa falënderuar as drejtuesit e klubit, që treguan gatishmëri për të më plotësuar kushtet dhe për të bërë të mundur rikthimin tim.
Cili është sekreti i kësaj Teute?
Ne punojmë në një atmosferë fantastike, ku drejtuesit e klubit na plotësojnë çdo kusht për të punuar dhe për t’u përqendruar në punën tonë. Ka një korrektesë maksimale nga ana e klubit dhe një vullnet për të na krijuar komoditet në punën tonë. Nga ana tjetër, është edhe trajneri Blendi Shkënbi, bashkë me stafin e tij, që na japin shumë qetësi, na ndihmojnë dhe kanë krijuar një grup shumë të fortë, që është edhe arma kryesore e kësaj skuadre.
Sa të rëndësishëm janë tifozët për një ndeshje futbolli?
Janë shumë të rëndësishëm, madje esencialë do të thosha, Futbolli luhet për ta dhe janë pikërisht tifozët, që i japin një bukuri tjetër ndeshjes, ndaj është me rëndësi që të jenë sa më të shumtë në numër.
Jeni rikthyer në Shqipëri pas shumë vitesh. Si e gjetët kampionatin shqiptar?
E kam ndjekur në vijimësi kampionatin, edhe kur kam luajtur jashtë Shqipërisë, Ndryshe nga dikur, tani ka një infrastrukturë mjaft të mirë dhe kjo ka përmirësuar cilësinë e ndeshjeve. Gjithashtu tashmë janë tejkaluar shumë problematika të tjera dhe luhet një futboll shumë më i qetë dhe më cilësor. Këtu ka vend për vlerësim edhe investimi i bërë në skuadra si Skënderbeu dhe Kukësi, që i kanë dhënë një fytyrë tjetër kampionatit.
Cili është objektivi i Teutës?
Ne jemi futur me synimin që të zëmë një vend në zonën europiane dhe të luftojmë për Kupën e Shqipërisë. Aktualisht po kalojmë një moment mjaft të mirë dhe po tregojmë se jemi një “kockë e fortë” për të gjithë ekipet. Strategjia jonë është që t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të japim maksimumin, ndërsa pretendimet duam t’ia lëmë kohës dhe të rrimë me këmbë në tokë.
Cila është skuadra që ju ka vënë më shumë në vështirësi?
Duke parë rezultatet, besoj se humbja me Luftëtarin është ajo që na ka lënë një shije shumë të keqe. Ishte një ndeshje të cilën nuk mund ta humbnim dhe për më tepër me atë rezultat. Gjithsesi e kam thënë edhe më herët që në kampionatin shqiptar nuk ka shumë diferenca mes skuadrave.
E shikon të ardhmen tënde si trajner?
Si shumica e futbollistëve, edhe unë mendoj se trajnimi është fusha ku mund të përshtatem më shpejt dhe të mundohem të bëj karrierë. Gjithsesi kam ende për të dhënë në fushë, si portier dhe më pas do mendoj për të ardhmen.
Ka pasur edhe skeptikë për rikthimin tënd në Superiore…
Unë në fakt i ndjek shumë pak mediat dhe përqendrohem vetëm te puna në fushën e lojës. Edhe në Qipro punoja me seriozitet dhe shfrytëzoja mundësitë e mia, ndaj vetëm falë punës gëzoj ende një formë të mirë sportive.





