Goli i shënuar nga Zapata pas një goditjeje nga këndi u dha kuqezinjve të Milanit 9 minuta të tjera iluzioni, pasi për 70 të tjera ishin praktikisht të kualifikuar për në fazën e 1/16 në Europa League. Gjithsesi, protagonistët pritej të ishin futbollistë të tjerë, më saktë, njëri më shumë se të gjithë.

Gonzalo Higuain nuk duket më i njëjti që nga takimi me Juven dhe këtë e vërtetoi edhe në Athinë. Gëzimet për dyshen Cutrone-Higuain ishin të mëdha, duke filluar që nga sfida Milan-Sampdoria, kur Gattuso i vendosi së bashku në formacionin titullar, ashtu siç dëshironin edhe shumica e tifozëve.

Atë mbrëmje shënuan të dy, si argjentinasi, ashtu dhe talenti i ardhur nga akademia e "Djallit", duke dhënë shpresë për një të ardhme të madhe. Por "El Pipita" nuk duket në ditët e tij më të mira. Në ndeshjen kundër Olympiakos, 11 nga 18 rastet e kuqezinjve mbanin firmën e Argjentinasit, ku disa goditje shkuan madje ngjitur me portën e grekëve.

Cutrone, ndërkohë, nuk arriti të bënte lëvizjet e duhura për t’i krijuar hapësirë shokut të tij të repartit. Gattuso deklaroi në konferencën për shtyp pas sfidës se u pendua që e zëvendësoi me Laxalt. Tashmë Milani është i eliminuar nga Europa League. E gjithë vëmendja do të jetë tek kampionati, aty ku zona Champions është synimi i padiskutueshëm i një sezoni të tërë.