22 shtator 2015 – 7.7 % e futbollistëve që kanë luajtur në Champions gjatë pesëvjeçarit 2008-2013  kanë rezultuar me vlera jashtë normave në analizat e urinës. Është kjo e dhëna që del nga një studim i kryer nga Uefa.

Në 4195 kampiona urine të futbollistëve të analizuar në 12 laboratore, në 879 të rasteve, vlerat e testosteronit kanë rezultuar mbi ato të lejuara dhe në 68 raste janë evidentuar edhe gjurmë të steroidëve. Studimi i Uefas ka tingëlluar si një alarm dopingu për një ndër eventet kryesore të futbollit.

Rezultatet e studimit të Uefa-s u publikuan orët e fundit nga Sunday Times në Angli, që zbuloi dokumentin që ishte mbajtur i fshehtë deri më tani nga Uefa për arsye që është e lehtë të kuptohen. Metodologjia e analizave është kryer në mënyrë anonime, në fund të çdo ndeshjeje, Uefa iu ka marrë kampionë urine futbollistëve që kanë luajtur në Champions gjatë pesëvjeçarit 2008-2013, të gjitha kanë qenë të ruajtura në anonimatet.

Rezultatet ngrenë një shqetësim të madh mbi përdorimin nga lojtarët të substancave të tilla që janë të ndaluara dhe që çojnë drejt hipotezës së përdorimit të ilaçeve apo substancave të ndryshme me qëllim përmirësimin e paraqitjes sportive. E ndërsa opinioni publik ka ngritur menjëherë pikëpyetje në lidhje me domethënien e këtyre rezultateve, Uefa ka provuar të japë një mesazh qetësues.

Siç bën të ditur “Gazzetta Dello Sport” nga selia e organit europian të futbollit kanë bërë të dirur se 12 laboratoret që kanë analizuar kampionet në fjalë nuk kanë përdorur procedurat e zakonshme, çka i bën rezultatet jo të qarta, dhe veç të tjerash duke qenë se kampionët janë anonime, pa emra, është e pamundur të kryhen kundëranalizat siç kërkohet nga Wada, Agjensia Botërore e Antidopingut në raste të tilla.

/portali DurresLajm/