Prej disa javësh situata brenda RTSH duket e ngarkuar. Problemet e para dolën në pah, ku disa artistë u tërhoqën nga gara për Festivalin e fundvitit.

Konkretisht, Samanta Karavella dhe Kejsi Tola hoqën dorë nga gara, duke bojkotuar kështu eventin më të madh muzikor.

Në një prononcim për Panorama, Samanta u shpreh se do të fliste pasi festivali të përfundonte.

E teksa Festivali i RTSH, do edhe pak ditë të startojë, një tjetër emër është tërhequr nga ky kompeticion.

Bëhet fjalë për Sardi Strugajn. Sardi, ka zbuluar se edhe lajmet që fliten lart e poshtë, si çdo vit, për fituesin e paracaktuar të festivalit, në fakt, ai nuk i ka besuar, por kur kanë dalë, tregon se diçka ka pasur.

Po këtë vit ç’po ndodh?

Sipas shumë aludimeve, thuhet se artistët janë tërhequr nga Festivali i Këngës, sepse ky kompeticion është i shitur dhe se atë do ta fitojë Elsa Lila.

“Kështu flitet. Unë, emrin e Anxhelës e kam ditur që në maj. Emrin e Ronelës e dija nga qershori, që e ka fituar Ronela. Nuk e besoja, por kur dalin…

Vjet, Albina ka qenë e paparashikueshme. Askush nuk e ka pritur, ka qenë një festival më ndryshe. Sivjet, flitet që e ka fituar Elsa. Mund të jetë ndonjë surprizë, por nuk është kjo arsyeja që kam ikur…”, tregon këngëtari.

Një arsye që ai u tërhoq është se, sipas tij, niveli i festivalit është shumë i ulët. Gjithsesi, edhe nëse e fiton Elsa Lila, Sardi u shpreh se nuk do ta kishte problem po ta meritojë:

“Është muhabet shumë i ulët. Kjo më erdhi keq, që festivali ka rënë në nivel kaq të ulët. Ta dish ti, cili është shkaku… Ndihem në siklet, do e them në një moment tjetër. M’u duk shumë joprofesional, nuk e meriton festivali që të ketë një nivel të tillë.

M’u duk niveli i festivalit shumë i rëndë. i festivalit, jo i artistëve. Po e fitoi Elsa, në rast se e ka këngën e mirë aq sa vjet, ose edhe më të mirë, e meriton pa dyshim, jam fans i këngës vjet. Nuk më vjen keq edhe nëse do isha në garë me të, po thjesht ta meritojë”, përfundoi Sardi.