Presidenti i Federbet, Françesko Baranka, ka folur për ndeshjen e dyshuar si të trukuar mes Apollon Larisës dhe Aiginiakos e fituar 3-2 nga ekipi që drejtohet nga ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Arjan Bellaj. Baranka tregon se u luajtën shuma të çmendura parash dhe pati një luhatje të çuditshme të koeficienteve të basteve.

“Thuajse në të gjitha kompanitë e basteve u luajtën shuma të çmendura për rezultatin: 2 në pjesën e parë dhe 1 në pjesën e dytë. Në praktikë: Fitorja e ekipit mik në pjesën e parë dhe fitorja e skuadrës vendëse në fundin e ndeshjes. Pastaj pati edhe shumë të tjera për përfundimin e ndeshjes me shumë gola. Në Greqi një problem i tillë ndodh gjithmonë dhe çdo javë ka një takim që vëzhgohet me vëmendje. Por, këtë herë e ekzagjeruan dhe ishte shumë e rëndë. Bastet u vendosën gjatë kohës kur po luhej ndeshja dhe pamë ndryshime të çuditshme. U luajtën në Ukrainë, Rusi, Armeni dhe në të gjitha kompanitë e basteve. Skuadrat e bëjnë gjithçka në mënyrë të qartë dhe nuk i kap ankthi, mund ta trukojnë edhe në 10 minutat e fundit”, tha mes të tjerash Baranka.

Për ndeshjen e trukuar ka folur edhe presidenti i skuadrës tjetër greke, AEL Larisa, Aleksis Kugias, i cili tregon se ka informacione nga shqiptarët.

“Nëse do të kishim një shtet serioz, një federatë serioze dhe një ministër sporti serioz, në të vërtetë ata duhet të interesoheshin për të ardhmen e futbollit. Ajo që ndodhi në Larisa me Apollon Larisën është diçka shumë serioze, me të cilën është duke u marrë shërbimi i Interpolit. Në ndeshjen mes Apollon Larisës me Egeniakos është e turpshme. Kam informacione nga shqiptarët dhe në një qytet të Italisë u luajtën baste 420 mijë euro. Madje Interpoli beson se shuma të tilla janë luajtur edhe në vende të tjera të botës. Ata që luajtën në Itali e dinin se pjesa e parë do të dilte 0-2 dhe gjithë ndeshja do të përfundonte 3- 2, sepse ndryshe nuk do të vihej bast 420 mijë euro. Interpoli ka material fotografik nga kamerat e sigurisë dhe këta njerëz kanë fituar 12 milionë euro”, ka thënë presidenti i AEL Larisës.

Më 17 shkurt, skuadra e Apollon Larisës fitoi me rezultatin 3-2 ndaj Aigianikos, teksa pjesën e parë e kishte humbur me rezultatin 0- 2. Ekipi i Bellajt triumfoi dhe kompanitë e basteve vunë re luhatje të çuditshme dhe mendohet se kjo sfidë është e trukuar.