Një 22-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Angli.

Sjellim në vëmendje se i riu u identifikua si Algert Lleshi, ndërsa ngjarja e rëndë është regjistruar në 2 qershor të këtij viti.

Pas aksidentit i riu u dërgua për mjekim në spitalin “William Harvey”.

Sipas mjekëve ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe pasi gjendja e tij u përkeqësua, ai u transferua në spitalin “King’s College” për një operacion urgjent.

Tragjikisht, pavarësisht se operacioni ishte i suksesshëm, Lleshi nuk u zgjua kurrë dhe u shpall i vdekur më 5 qershor, tre ditë pas aksidentit.

Por kjo ngjarje tragjike është rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e mediave në Angli, pasi janë mbyllur hetimet.

Algert Lleshi, i cili ka qenë duke udhëtuar me një biçikletë elektrike është rrëzuar dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.

Sipas hetimeve,  Lleshi ka humbur kontrollin e biçikletës për shkak të një grope në mes të rrugës dhe për pasojë është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në asfalt.

Banorët e zonës kanë deklaruar për mediat lokale se gropa në rrugë është mbyllur një ditë më pas, ndërsa dëshmitarë të ngjarjes deklaruan në atë kohë që ndihmën e parë ia dhanë dy shoferë dhe një infermiere që po kalonin aty rastësisht.

Ndërkohë familjarë dhe miq të tij kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë ndezur qirinj në vendin e aksidentit.