Teuta pret mbrojtës dhe sulmues. Edhe pse skuadra durrsake ka afruar sulmuesin Faizal Bangal, merkato nuk mund të quhet e mbyllur. Burime në klubin durrsak tregojnë se priten edhe dy lojtarë, një sulmues dhe një mbrojtës. Ende nuk është bërë e ditur nga klubi se kush mund të jenë lojtarët që do të afrohen, por gjithsesi pozicionet janë mbrojtja dhe sulmi.

Mesfushori elbasanas, Ardit Hila, ka vlerësuar punën që kanë bërë drejtuesit e Teutës në merkato. Sipas tij, grupi është më cilësor dhe skuadra ka mundësi të bëjë më shumë se në sezonin e shkuar.

“Fillimi i sezonit po afrohet, por Teuta është gati. Kemi krijuar një grup të mirë me lojtarë cilësorë. Mund të them se kjo Teutë është më e fortë se ajo e sezonit të shkuar. Tani duhet të tregojmë veten në fushë dhe të mos shikojmë objektivat apo premtimet.Objektivi ynë është marrja me seriozitet e çdo ndeshjeje si dhe angazhimi maksimal në çdo takim. Nuk di të bëj premtime, gjithçka ia lëmë fushë, ku ne duhet të shkruajmë premtimet tona. Në ditët që kanë mbetur para startit të kampionatit duhet të stërvitemi siç duhet dhe të jemi gati për ndeshjen e parë me Tiranën. Vetëm pasi të kemi kaluar me sukses këtë takim, mund të mendojnë për sfidat pasardhëse. Kërkohet një angazhim maksimal nga të gjithë, në mënyrë që të marrim rezultate pozitive”, shprehet mesfushori Ardit Hila.