WASHINGTON– Hillary Clinton nuk do të mbajë më postin e sekretares amerikane të shtetit gjatë mandatit të dytë të presidentit Obama, por zonja e politikës së jashtme amerikane është shfaqur në kopertinën e Newsweek, në prag të dorëzimit të detyrës. Nën fytyrën e saj të qeshur, revista e njohur ka vendosur titullin: Gruaja më e pushtetshme e historisë amerikane.
Hillary Clinton largohet nga Departamenti i Shtetit si gruaja më e admiruar në botë, pasi punoi për të ndërtuar marrëdhëniet e dëmtuara nga luftrat në Afganistan dhe Irak, duke e përqendruar vëmendjen njëkohësisht tek interesat amerikane në Azi dhe Paqësor. Por ajo thotë se çështja e jetës së saj është forcimi i pozitës së gruas.
“Është absurde të përpiqesh të ngresh një ekonomi të fortë ose demokraci të qëndrueshme, ndërsa e trajton gjysmën e popullsisë si qytetarë të dorës së dytë, ose në rastet më të këqia si një specie tjetër. Por në shumë vende ndodh pikërisht kështu. Ato kanë pak ose asnjë të drejtë politike. Ato bëhen objekt dhune të tmerrshme. Shëndeti, madje dhe jeta e tyre rrezikohen”,- thotë Clinton.