SHBA, 10 qershor 2014 – – Ish-sekretarja e Departamentit amerikan te Shtetit, Hillary Clinton tha sot se familja e saj kishte 12 milionë dollarë borxhe kur u largua nga Shtëpia e Bardhë duke theksuar se edhe nëse jeta e tyre kishte qenë shumë e ndryshme nga ajo e shumë amerikanëve, ata kishin pasur të njëjtat probleme si shumë njerëz të tjerë.
 
“Ne kishim rreth 12 milionë dollarë borxhe”, tha ish-shefja e diplomacisë amerikane për kanalin televiziv ABC, ndërkohë që nje liber i saj i ri sapo u hodh në shitje në SHBA. 

“Na u desh të punonim shumë. Unë isha në Senat dhe nuk mund të bëja shumë gjëra dhe i jam shumë mirënjohëse tim shoqi, që ka punuar gjithnjë fort, që kur ka lindur”, vazhdoi Hillary. 

Çifti presidencial u detyrua të hynte në borxhe për të financuar kryesisht avokatët për çështjen ”Monica Leëinsky”, që ”helmoi” mandatin e dytë të Bill Clintonit (1997-2001). 

Në një intervistë për të njëjtin kanal të publikuar dje, Hillary Clinton kishte thënë se familja jo vetëm që nuk kishte më të ardhura por kishte hyrë edhe në borxhe kur lanë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2001. 

Teknikisht e saktë, këto deklarata ngjallën shumë polemika, pasi Clintonët aktualisht kanë dy shtëpi që vlerësohen disa milionë dollarë dhe faturojnë me mijëra dollarë nëpër fjalime që i mbajnë në të gjithë vendin. 

Në Nju Jork, me qindra persona mbanin radhën sot në mëgjes para librarisë “Barnes & Noble” ku Hillary Clinton po promovonte librin e saj “Hard Choices” (Vendime të vështira). 

Disa, që mbanin bluza ku shkruhej “Hillary rocks”, kishin kaluar natën jashte librarisë për të qenë të parët në radhë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/