Rrjeti i hotelerisë Hilton do të hyjë në Shqipëri me një tjetër hotel, pas një marrëveshjeje menaxhimi të nënshkruar me Kastrati Residences Ltd, që zotërohet nga Kastrati Group.

Në një njoftim zyrtar në faqen e Hilton thuhet se Hilton Hotels & Resorts do të jetë në zemër të metropolit shqiptar, në një ndërtesë me 174 dhoma që pritet të hapë dyert në vitin 2023.

“Ne hapëm hotelin tonë të parë në Shqipëri në 2018, dhe po zgjerojmë portofolin me prezantimin e Hilton Tirana. Partneriteti me grupe si Kastrati Group ka rezultuar në një vrull të madh në të gjithë Europën, me gati 450 hotele tregtare dhe një grup prej 220 pronash në zhvillim. Tirana po kalon transformimin në një metropol të lulëzuar dhe ne shohim një potencial të madh në këtë qytet me zhvillim të shpejtë. Shqipëria pa një rritje të numrit të vizitorëve në më shumë se 70% midis 2014 dhe 2019” – tha Patrick Fitzgibbon, zëvendëspresident për Zhvillimin në Hilton.

Shefqet Kastrati, president i Kastrati Group, nga ana tjetër, e ka vënë theksin në kthimin e Tiranës në një kryeqytet që tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e vizitorëve. Hoteli do të jetë në një zonë të afërt me gjithë atraksionet kryesore turistike të Tiranës, duke përfshirë Xhaminë e Et’hem Beut dhe Monumentin e Skënderbeut.

Hoteli do të ketë 174 dhoma, përfshirë 18 suita, si dhe një sallë pritjeje ekzekutive dhe hapësirë për takime dhe evente. Hilton Tirana do të jetë pjesë e një portofoli prej më shumë se 575 hotelesh në të gjithë botën. Do të jetë prona e parë me markë Hilton në Shqipëri, pas hapjes së Hilton Garden Inn Tirana në verën e 2018-s.

Vrulli i markave, pas lehtësive fiskale

Vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në epiqendër për investime në struktura akomoduese ku kompani shqiptare kanë hyrë në partneritete me kompani të huaja në sektorin e akomodimit. Kjo erdhi pas paketës fiskale të vitit 2018 që u jepte status investimeve në marka.

Hotelet me status kanë zero taksë infrastrukture, që zakonisht për Tiranën është sa 8% e vlerës së investimit, po kështu u zerua tatimfitimi për 10 vjet, si dhe u bë ulje e TVSH-së në 6% për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel, përveç shërbimit të fjetjes që vlen për gjithë sektorin.

Në momentet e fundit, qeveria shtoi edhe një tjetër lehtësi, përjashtimi nga taksa mbi ndërtesën. Aktualisht rrjeti Marriott ka zgjedhur njërën nga kullat e stadiumit për t’u vendosur aty por planet e hapjes në 2020 u shtynë nga pandemia. Kompania tjetër me aktivitet në sektorin e hidrokarbureve, BOLV Group, nënshkroi një marrëveshje me Accor për markën Novotel.

Grupi Lindner i vendosur në Rinas në Tirana Bussines Park po ndërton hotelin MK Hotel, ndërsa Plaza me investitorë shqiptarë hyri në marrëveshje me Maritim, një tjetër markë gjermane. Hilton Garden Inn prej 2018 ishte marka e parë që hyri pas largimit të Sheraton ndërkohë që Kastrati Group, që nënshkroi së fundmi me Hilton ka nënshkruar më herët edhe Hyatt.

Në bregdet Concord Investment që po zhvillon projektin San Pietro. /Monitor