Parimi i hinkës, i zbatuar thuajse në të gjitha rrethrrotullimet në qendër të Durrësit, është një nga shkaktarët kryesorë të trafikut të rënduar, në oraret e pikut të lëvizjes.
Për ekspertin rrugor Agron Beja, zbatimi i këtij parimi në projektimin e rrugëve kryesore ka qenë i gabuar, pasi masat shtesë që merren për të korigjuar këtë anomali rëndojnë edhe më shumë lëvizshmërinë e mjeteve.
“Në qendër të qytetit, duke iu referuar rrethrrotullimeve përkatëse kemi një parim që për mua nuk është i saktë teknikisht. Afrimi në rrethrrotullim shoqërohet me parim hinke dhe dalja nga rrethrrotullimi shoqërohet po me parim hinke, apo ngushtimit të rrugëve. Kjo ka sjellë dhe vazhdon të sjellë ngurtësimin e lëvizshmërisë dhe pengesë në qarkullim. Kjo detyron bashkinë që për të eliminuar këtë difekt vendos Policinë Bashkiake që në momente të caktuara në vijat e bardha të kalojnë këmbësorët duke penguar lëvizshmërinë e drejtuesve të mjeteve”.
Ngushtimi i bulevardit “Dyrrah”, rrugës “Aleksandër Goga”, “Egnatia” etj dhe eleminimi i shumë vendparkimeve duke i dhënë prioritet zgjerimit të trotuareve e ka transformuar qendrën e Durrësit në një hapësirë urbane jo “miqësore” me drejtuesit e mjeteve. Për ekspertin Beja, zgjidhja e këtyre anomalive duhet të vijë përmes një tryeze teknike.
“Kjo për mua nuk është zgjidhje e saktë dhe mendoj se duhet të rishikohet. Ky rishikim duhet të bëhet për të gjitha rrugët. Duhet të ngrihet një grup pune specialistësh përkatës pranë bashkisë pasi për realizimin e rrugëve të ndryshme në Durrës duhet të jepet një gjykim tjetër”,- thotë ai për “DurrësLajm”.
Sipas Institutit të Statistikave, banorët e qarkut të Durrësit kishin numrin më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë, për vitin 2020. Në këtë vit, në Durrës kishte të regjistruara gjithsej rreth 72.1 mijë autovetura, ose 247 automjete për 1000 banorë.
Rritjes eksponenciale të numrit të mjeteve, bashkia ju kundërpërgjigj në 10 vitet e fundit me projekte për ngushtim rrugësh dhe eleminimin e vendparkimeve,
Ndërtimi i parkimit publik pranë Stacionit të Trenit, i cili do të ketë rreth 400 vendparkime pritet të lehtësojë disi lëvizshmërinë në rrugët e qendrës dhe nevojën e drejtuesve të mjeteve për parkime, por zgjidhja mbetet ndërtimi i akseve të reja rrugore për shfryrjen e trafikut në një qytet që këtë verë regjistroi një boom turistik.
M.B.





