•    Edhe pse teori të plotë për hipnozën, në kuptimin e definicionit të plotfuqishëm, edhe sot e kësaj dite  nuk ka, vështrimet e sotme moderne  përjashtojnë çfarëdo  tretmani  të hipnozës  si satanizëm, sharlatanizëm ose ndonjë formë tjetër të  ndikimit parapsikologjik, dhe e fusin atë  në gjirin e shkencës.

  31 janar 2015 –  Fjala hipnozë (hypnos) rrjedh nga greqishtja, dhe do të thotë „gjumë“. Ky nocion është marr nga mitologjia e lashtë greke, me të cilin personifikohej zoti i gjumit “Hypnos”. Hypnos-i është edhe babai i Phantasos si dhe zotit të ëndrrave, Morpheus, i cili me ndihmën e një harpe vallëzonte në një lloj gjendje transi.

            Vështrimet e sotme moderne  përjashtojnë çfarëdo tretmani  të hipnozës  si satanizëm, sharlatanizëm ose ndonjë formë tjetër të  ndikimit parapsikologjik, dhe e fusin atë  në gjirin e shkencës. Në Fjalorin e Gjuhës  së Sotme Shqipe, hipnoza pranohet si degë e shkencore dhe definohet si: „…gjendje  e afërt me gjumin, në të cilën mund të vihen njerëzit ose kafshët e larta me anë të sugjestionit për t’i mjekuar nga ndonjë sëmundje ose për t‘i bërë që të sillen  sipas vullnetit të dikujt“.   Prof. Çarls Mater, nga Universiteti i Majamit, thotë: „Hipnoza është gjendje  e ndryshueshme e vetëdijes, të cilën e karakterizon rritja e koncentrimit, rritja e relaksimit dhe rritja e sugjestibilitetit“. Ndërsa, Shoqata  e Mjekëve Britanikë e definon hipnozën kështu: „Hipnoza është gjendje kaluese e kujdesit  të zvogëluar  të pacientit, gjendje në të cilën mund të shfaqen paraqitje të ndryshme nga vetvetja ose  të provokuara nga rrethi i jashtëm“. Edhe pse gjendja hipnotike është përafërsisht e njëjtë me  gjumin, sepse korja e trurit të madh gjatë ëndërrimeve gjendet në gjendje inhibicioni, ajo prapëseprapë ndryshon shumë nga gjumi. Kështu kërkuesit kanë konstatuar se shkalla e përhapjes së inhibicionit, si dhe shkalla e  intensitetit të tij, është shumë më e vogël te gjumi hipnotik. Inhibicioni  që krijohet gjatë hipnozës nuk përhapet në mënyrë difuze nëpër  koren e trurit të madh, por vetëm nëpër  zonat e caktuara të kores, ashtu që, në mes zonave që janë të përfshira nga inhibicioni ekzistojnë  edhe zona  me ngacmime normale. Me inhibicion  në hipnozë më së shumti janë të qëlluara zonat motorike të kores së trurit të madh.

            Kërkuesit gjithashtu kanë konstatuar se, në mes  të gjendjes së fjetur dhe  asaj të zgjuar ekziston një lloj „gjysmë vetëdijeje“. Në atë gjendje, funksionet trupore janë të zvogëluara, ndërsa ato shpirtërore janë më aktive. Në gjumin hipnotik, i hipnotizuari  nuk e humb kontaktin me botën e jashtme, gjë që ndodh gjatë gjumit normal, por ato kontakte i zhvillon nëpërmjet hipnotizuesit dhe atë me një sugjestibilitet  shumë të rritur. Gjatë kohës së gjumit normal, ritmi i rrymave aksionale në koren  e trurit të madh ndryshohet shpejt, alfa-valët humbin plotësisht, ndërsa te gjumi hipnotik ndryshohet ngadalë dhe alfa-valët  nuk humbin plotësisht. Në gjumin normal mediumi nuk e pranon përshtypjen e jashtme, ndërsa gjatë gjumit hipnotik, dëgjon edhe pëshpërimat më të vogëla. Në gjumin normal, aktivitetet mentale janë të spostuara, ndërsa gjatë gjumit hipnotik ato janë të gjallëruara etj.

            Në qarqet mjekësore sot janë të pranishme dy  rryma. Njëra rrymë e konsideron hipnozën si kontinuitet të gjendjes normale të vetëdijes, derisa rryma tjetër si gjendje  e ndryshueshme e vetëdijes. Rryma e parë quhet  shkalla e imitimit të rolit, ndërsa e dyta  shkalla e disocimit.

  NDIKIMI I HIPNOZËS

            Në obstetrikë hipnoza  ndihmon në lindje pa dhembje; në stomatologji dhe kirurgji, për largimin e  frikës nga intervenimet (në shumë raste edhe si  anestezi) etj. Gjithashtu, hipnoza me shumë sukses përdoret edhe në shërimin e alkoolizmit, duhanit, narkomanisë etj. Kjo nuk do të thotë se hipnoza është „ilaç“  që i shëron të gjitha sëmundjet, por, në kombinim me  metodat tjera terapeutike, ndihmon shumë  në shërimin e të sëmurit.         

   Teori të plotë për hipnozën, në kuptimin e definicionit të plotfuqishëm, edhe sot e kësaj dite  nuk ka. Por, pavarësisht nga kjo, ndikimi i thellë  i hipnozës  në gjithë organizmin është i pamohueshëm, si dhe zbatimi i saj  në qarqet e ndryshme mjekësore  është gjithnjë në rritje. Në gjendje hipnotike mund të shpejtohen   apo edhe të ngadalësohen: pulsi, frymëmarrja; gjithashtu,  mund të ndikohet  edhe në ndryshimin e materies: djerësitje, urinim, kollitje, vjellje, hiperestezi, hipestezi, kriptomenzi, amnezi etj. Për këtë hipnoza edhe përdoret me sukses për shërimin e shumë sëmundjeve organike, të cilat  janë të lidhura me probleme psikike (sëmundjet psikofiziologjike) siç janë: të thatit të zorrë, në lukth, shprehitë negative përgjithësisht, urinimi i pakontrolluar etj.

            Gjatë gjendjes hipnotike, mediumit mund t’i sugjerohen edhe sugjestione të rrejshme për secilën shqisë veç e veç, qoftë në planin pozitiv apo në atë negativ. Mediumi mund të ndiej, dëgjojë ose të shohë gjithçka që i sugjerohet (edhe nëse ato janë jashtë realitetit), si dhe të mos i ndiej, dëgjojë ose shohë ato që   objektivisht ekzistojnë. Pastaj, mund të provokohen gjendje të ndryshme shpirtërore si: gëzimi, hidhërimi, dashuria, xhelozia etj; po kështu mund t’i imponohet  kryerja e cilitdo aktivitet, të cilin i  hipnotizuari e ka kryer dikur ose e kryen  tani, ose vetëm  e ka parë se si të tjerët e kanë kryer, gjë të cilën e shfrytëzojnë zakonisht hipnotizues profesionalë nëpër seanca  (shfaqje) të ndryshme publike.

            Përveç këtyre, në gjendje të thellë hipnotike, mund të krijohet  edhe i ashtuquajturi „regresim i kohës“ ose „kthim në të kaluarën“, në të cilën mediumi kthehet në cilëndo periudhë të jetës së tij, sillet si në atë kohë dhe i kujtohen të gjitha ndodhitë detajisht.

            Me rëndësi është gjithashtu fakti se  personi i hipnotizuar gjendet plotësisht nën pushtetin e hipnotizuesit. Pasi që sugjestibiliteti në atë gjendje është mjaft i rritur, ndërsa censura e logjikës  njëkohësisht tejet e zvogëluar (në minimum), personit të hipnotizuar mund t’i sugjerohen jo vetëm ndjeshmëri të ndryshme dhe mashtrime të shqisave, por edhe të kryej probleme mjaft të ndërlikuara, dhe atë, jo vetëm gjatë gjendjes hipnotike, por edhe pas zgjimit nga ajo ( kjo gjendje  quhet sugjestion posthipnotik ose posthipnozë dhe mund të veprojë me vite të tëra, që mundëson keqpërdorimin e  hipnozës për qëllime të ndryshme si: vjedhje, mashtrime, dhunime e deri në vrasje. Gjithashtu,  mundëson keqpërdorimin e hipnozës në luftëra të ndryshme, për propagandë ekonomike si dhe për qëllime politike, për ç‘gjë do të bëjmë fjalë  në pjesën  keqpërdorimi i hipnozës).

            Hipnoza ndahet në disa faza (stadiume) që kalojnë nga njëra fazë në tjetrën, e që mediumi gjatë kalimit nëpër këto faza futet gjithnjë thellë e më thellë  në gjumë hipnotik, varësisht prej sugjestibilitetit të tij dhe aftësive të  hipnotizuesit, gjegjësisht terapeutit.

            Hipnotizuesit këto faza i ndajnë në mënyra të ndryshme, por shumica e tyre i ndajnë në tri grupe: gjumi i lehtë, i mesëm dhe i rëndë ose shkalla më e thellë – katalepsia.

            Siç e theksuam, hipnoza nuk është gjendje gjumi (fiziologjik), edhe pse  në të parë duket  kështu, por, besohet se, ekzistojnë  ndryshime të caktuara në tru, të cilat në një të ardhme jo të largët  do të mund të identifikohen. Është i njohur fakti se gjatë një intervenimi kirurgjik në tru (pacienti ishte  nën anestezi hipnotike dhe duhej  t‘i mënjanohej një tumor), kirurgu, rastësisht prek një strukturë në tru dhe pacienti papritmas  zgjohet nga hipnoza. Mjeku që punonte me hipnozë e kthen prapë pacientin në gjendje hipnotike. Nga kjo del, pa dyshim, se regjionet e caktuara në tru ndryshojnë  mekanizmat fiziologjikë.

            Edhe pse sot mjaft njerëz mendojnë (edhe sipas anketës) se hipnoza është çështje e magjisë,  dhe në të kanë ndikim forcat mbinatyrore, shkenca bashkëkohore ka bërë përparime të mëdha në këtë  drejtim, duke e zhveshur atë nga këto paragjykime dhe duke  e trajtuar  si degë të mirëfilltë të  shkencës.

            Kërkimet e pareshtura në zbulimin e mistereve të trurit, shpresojmë se do ta  sqarojnë edhe fenomenin e gjumit të quajtur  HIPNOZË.