Hipokritët atakojnë Luiza Xhuvanin
Politikanë dhe analistë, shoqëria shqiptare, i ka kërkuar Luiza Xhuvanit, dorëheqjen edhe si nënë dhe pikërisht ky fakt, i bën ata aq hipokritë. Sepse vetë, ç’nuk bëjnë për fëmijët e tyre dhe madje, as u kanë kërkuar llogari ndonjëherë prindërve të tyre për ç’mund të kenë bërë në sistemin e kaluar. Nga ana tjetër, ka politikanë që heqin paralelen e vrasjes së 4-fishtë me 21 Janarin, “duke harruar paradoksalisht se shkaku i 21 Janarit është ai me të cilin Qeveria sot ka bërë aleancën.”
DURRËS, 7 nëntor 2014 – Hipokrizia ndaj nënës dhe politikanes Luiza Xhuvani ka qënë kryefjala e analistit Arian Vasjari, në studion e emisionit “Tonight Ilva Tare”, i ftuar në një panel me dy analistët e tjerë: Arion Sulo dhe Lutfi Dervishi.
Vasjari tha shprehimisht: “Ajo që mua më ka bërë përshtypje në gjithë këtë dramë, gjithë këtë tragjedi madje, është një komponent hipokrit i shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i shoqërisë, por edhe i medias; politikës po e po. Po të shikoje në rrjetet sociale, pjesën dërrmuese të analistëve të medias etj. etj, ndoshta me të drejtë, madje me të drejtë, nuk u ngopën me dorëheqjen si politikane të znj.Xhuvani, por shkuan më tej, kërkuan edhe dorëheqjen e saj si nënë.”
“Arrijnë deri aty sa t’i thoshin që përse ti nuk e denoncove djalin tënd në periudhën kur ai bëri krimin apo në vitet më pas, ndërkohë që shumë nga këta analistë, më kanë kërkuar mua t’u kaloj djalin dhe vajzën e tyre! Shumë prej tyre! Më kanë futur mua miq! Kanë qënë kaq biologjikë ndaj fëmijës së tyre, sa kur ka qënë puna për një provim, më kanë marrë miq, më kanë zënë miq mua, mos t’i marr me emra, se nuk është një, janë shumë të tillë, por mos fol për politikën nga ana tjetër. Edhe sot ka pasur analiza që e atakonin znj.Xhuvani me të njejtin arsyetim, ndërkohë që këta analistë nuk i kanë kërkuar ndonjëherë llogari prindërve të tyre për atë çfarë mund të kenë bërë në kohë të tjera, sepse nuk dua të…Ose analistë që përpiqeshin të ndërtonin një paralele mes 21 Janarit, që është një makabritet shtetëror – se ky nuk ishte një makabritet shtetëror i 21 Janarit – dhe ndërtonin gjithmonë një paralele për të retushuar këtë duke i shkarkuar gjithë përgjegjësinë Sali Berishës dhe duke harruar paradoksalisht se shkaku i 21 Janarit është ai me të cilin Qeveria sot ka bërë aleancën, por atë nuk e kujtojnë. Pra, në të gjitha rastet po të shikojmë është një hipokrizi endemike e sistemit.”
Përsa i përket qëndrimit të politikës, më vete, ndaj kësaj ngjarjeje, Vasjari u shpreh: “Përpos shëmtisë së krimit në vetvete, politika në anën e saj ishte akti i dytë i shëmtuar i kësaj historie, i politikës pa përjashtim nga të dyja krahët. Ishte, sigurisht, reagimi shpropocional i opozitës, si gjithmonë, e cila nuk po shpëton nga një sindromë këtu e 23-vjeçare e çdo opozitë për të përfituar, për të nxjerrë dhjamë politik nga gjithçka. Përpjekja, kam këtu z.Berisha, për të gjetur një lidhje mirëfilli politike në krim, për mua ishte e pavend, pavarësisht faktit se bëhej fjalë për djalin e një ish-deputeteje tashmë.
Po aq nuk m’u duk korrekte, m’u duk jashtë logjikës së gjërave, dhe reagimi i Kryeministrit Rama, i cili, në përpjekjen e tij për të sfumuar, për të retushuar atë krim makabër, përpiqej të gërmonte në historinë e qeverisjes 8-vjeçare të PD-së, për të gjetur aty detaje, ngjarje dhe për të bërë lidhjen se në atë kohë situata ka qënë edhe më keq, edhe më dramatike, kështu që nuk kemi pse habitemi pse ndodh edhe sot.
Në këtë pikëpamje, për mua nuk ishte asgjë e re sjellja e tyre. Është sindromë e të gjitha opozitave dhe të gjitha pushteteve, – përfundoi analisti, – që në fakt nuk kanë mësuar të sillen politikisht ndaj ngjarjeve të tilla dhe përpiqen t’i shkarkojnë përgjegjësitë e tyre apo t’i gjejnë fajtorët gjithmonë tek të tjerët.”
/index.al/
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Përplasi për vdekje një 19-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet autori
BIRN: Mbyllja e TikTok-ut nuk ndikoi në minimizimin e dhunës në shkolla
Shoferi humb kontrollin dhe përplaset me një automjet të parkuar, përfundon i përmbysur në rrugë
“21 Janari”/ Ilir Meta përfundon dëshminë në SPAK





