Regjistrimi i pasurisë, ndarja ose përpjesëtimi i saj, në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mund të kryhet brenda 15 ditëve, me një kosto prej 700 lekësh dhe pa pritur në radhë në dyert e zyrave të Hipotekës. Në faqen “e-albania”, çdo person që dëshiron të kryejë veprime me pronën mund të aplikojë online, të plotësojë dokumentet dhe të presë dokumentin në shtëpi, i cili vjen me anë të postës. Ky është një nga shërbimet e portalit elektronik, për të cilin Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka publikuar Raportin Vjetor Përmbledhës për vitin 2016. Sipas të dhënave, gjatë këtij viti shërbimet elektronike në portalin e-Albania kanë arritur në 465, duke u shtuar me 217 shërbime të reja krahasuar me 2015-n. Për lehtësim proceduarash në çështjet e pronësisë, shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një kërkesë për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme. Nëse pasuritë e paluajtshme në kufij të ngjitur me njëra-tjetrën janë pronë e të njëjtit pronar, si dhe u nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistruesi regjistron bashkimin e tyre, duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo disa kartela të reja për pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke përditësuar hartën kadastrale.
Kërkesa
Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm apo të të gjithë bashkëpronarëve për ndarjen e një pasurie të paluajtshme në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie, regjistruesi bën regjistrimin e ndarjes, duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja dhe përditëson hartat kadastrale për pasuritë e paluajtshme të reja, që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjithë informacionin që kishte kartela e mbyllur. Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme, që fshin të drejtat reale mbi të. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e tij të paluajtshme, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar. Në të gjitha rastet e përcaktuara në pikat e mësipërme të këtij neni, pronarët dorëzojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose do të ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara.
Shqyrtimi
Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procedohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me e-mail, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.
Procedura
1. Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal
2. Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme”
3. Klikoni butonin “Përdor”
4. Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme
5. Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit
6. Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme
7. Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur te “Dokumentet e mia” në “e-Albania”, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit.
/Shekulli/