TIRANË,16 shtator 2013 Një ditë pasi qeveria e re u vendos zyrtarisht në godinën e Kryeministrisë, hiqet gardhi rrethues me hekura rreth selisë. Sot në mesdite, disa punëtorë kanë nisur punën për heqjen e gardhit rrethues të Kryeministrisë, duke e lënë atë pa ‘pengesë’ me qytetarët që kalojnë aty pari. Vendimi duket të jetë i kreut të qeverisë, Edi Rama, në vijim të ndryshimit të ambienteve edhe brenda sallës së mbledhjes së Kryeministrise. Kangjellat u vunë për herë të parë më 21 shkurt 2004 kur opozita në atë kohë e drejtuar nga Berisha organizoi një protestë të madhe me rastin e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Gjatë protestës nën moton ‘Nano ik’ u qëllua me gurë dhe kryeministri i atëhershëm Nano mori vendimin menjëherë pas protestës për të ndërtuar gardhin rrethues. Opozita e asaj kohe akuzoi Nanon se po e kthen Kryeministrinë në bunker. 

/balkanweb/