16 nëntor 2015 – Bizneset që kanë të ardhura deri në 50 mijë dollarë në vit, nuk do të paguajnë asnjë taksë. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp me biznesin e vogël, i cili ndër të tjera theksoi se do të përfitojnë gjithashtu edhe biznesmenët që kanë xhiro deri në 8 milionë lekë.

“Të gjitha bizneset nga 0-5 milionë lekë xhiro në vit do të çregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin. Deri sot ata deri në 2 milionë paguanin 25 mijë lekë, ndërsa ata nga 2-5 milionë paguanin 7.5% taksë mbi fitimin, tani s’do paguajnë. Dakord? U pëlqen?”, tha Rama gjatë konferencës në Kryeministri.

“Të gjitha bizneset mes 5 mijë dhe 8 mijë do paguajnë TVSH, por për këto biznese do ulim tatim-fitimin nga 7.5% në 5%. Vijmë te realizimi i plotë i zotimit tonë të para dy viteve dhe nuk e kishim menduar se do e bënim brenda dy viteve, për ta përgjysmuar taksën nga 10% në 5% në biznesin e vogël.

Përveç këtyre ndryshimeve, të gjitha bizneset nga 0-8 milionë lekë do të deklarojnë kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Nga 0-5 milionë nuk do të gjobiten më për mosdeklarim për punonjësit e padeklaruar të familjes. Kur janë dy prindër që kanë një dyqan, mamaja shkon të bëjë darkën, babai ka qëndruar gjithë ditën aty, djali kthehet nga shkolla dhe rri në banak, vjen inspektori dhe e gjobit. Këtë do ta heqim”, tha lideri i qeverisë.

Këto biznese nga 0-5 milionë lekë do duhet të dorëzojnë një herë në vit një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve. Të gjitha bizneset e vogla me xhiro nga 0-8 milionë do duhet të paraqesin fatura të rregullta për blerjen e çdo malli.

/portali DurresLajm/