Pas më shumë se një dekade, kompanisë koncesionare gjermane që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Rinasit i është hequr ekskluziviteti i fluturimeve.
Lajmi u bë publik sot nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili tha se së shpejti do jetë funksional aeroporti i ri i Kukësit.
Haxhinasto shpjegoi se për hapjen e aeroportit të Kukësit, kompanisë do t’i zgjatet kontrata koncesionare me dy vite dhe sipas ministrit, një vendim i tillë respekton investitorët. Me formalizimin e aeroportit të ri, qytetarët shqiptarë do kenë kështu mundësi të përfitojnë nga tarifa dhe çmime më të ulëta.
“Do ta quaj një ditë të rëndësishme për aviacionin civil shqiptar, pasi hap një faqe të re për zhvillimin e infrastrukturës, por veçanërisht për t’u shërbyer më shumë qytetarëve të këtij vendi. Shumë shpejt të gjitha objektivat tona për zhvillimin e sektorit të aviacionit civil në Shqipëri do të realizohen. Theksoj se objektiv madhor është të arrijmë një shërbim konkurrues, që do të thotë çmim më të ulët të biletave, me qëllim që qytetarët shqiptarë të shërbehen sa më mirë.”





