DURRËS, 19 shkurt 2015 –  Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 renditet padyshim, ndër ngjarjet më të spikatura dhe domethënëse të historisë së vendit tonë.

Në vigjilje të kësaj date, kryetari i Opozitës për Durrësin, z. Osman Stafa ka përkujtuar në statusin e radhës, në llogarinë  e tij në rrjetin social facebook, këtë moment kulmor, pikërisht rënien e bustit të diktatorit Hoxha.

"24 vite më parë, titanët e mbushur me shpirtrat e çlirë të shqiptarëve u mblodhën në sheshe, anekënd vendit, për të shkulur, rrëzar e zvarritur, larg tokës mëmë, edhe kujtimin më të ngurtë të përdhunimit 45 vjeçar: Monumentet e Diktatorit të vdekur.

Sfinksi i Lirisë fluturoi lart mbi Shqipërinë Demokratike!

Dhuna dhe përdhosja, simotra të qeverisjes rilindëse, po ngrenë çdo ditë Monumentet e Diktatorëve të gjallë, në mbarë vendin, në çdo fushë të jetës! Olimpi i oligarkëve po përpiqet të tredhë forcën e madhe të Kombit: Shpresën dhe Jetën!

Sot, është koha e Sfinksit të Lirisë, ndaj të bashkuar dhe besimplotë, të lufojmë për Shpresën dhe Jetët Tona!", përfundon kryetari Stafa komentin e tij.