Angli, 1 maj 2014 – Atletiko Madrid mposht Çelsin dhe për herë të dytë në historinë e futbollit europian do të jetë në finale të Ligës së Kampioneve. Për ironi të fatit, do të ndeshet me Realin e Madridit.
Ishim mësuar në finale të shihnim dy ekipe të një shteti, por për herë të parë në Champions League do të kemi një derbi të vërtetë, i gjithi madrilen, dy ekipe të Madridit do të diskutojnë finalen e madhe të Lisbonës.
Sa i përket ndeshjes me Çelsin, Atletiko është ndjerë në ankth kur ka pësuar golin e parë, pikërisht nga një spanjoll si Fernando Torres, por nuk kalojnë shumë minuta dhe Adrian barazon shifrat në 1-1.
Kaq mbyllet pjesa e parë. Në pjesën e dytë Atletiko Madrid dominon totalisht. Fillimisht shënon Diego Kosta me 11-metërsh, që e fitoi po ai vetë dhe në të 72-ën vulos fitoren Turan. Dorëzohet Çelsi i Murinjos, duke pranuar humbjen, ndërsa triumfon formacioni i Diego Simeones, që përveç se ka dalë në finale të Champions League, është pranë fitimit të titullit kampion në Spanjë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





