Në Hamburg, më 23 maj të vitit 1989, pas 7 vjet negociatash, u nënshkrua marrëveshja e parë me një ent perëndimor sikurse ishte ajo me ish-shoqërinë klasifikuese të famshme në detari, “Llojdi Gjerman” (Germanischer Lloyd) nga ana e Regjistrit Detar Shqiptar, tregon Muhamed Laknori.

Në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin profesionistët e vjetër e njohin mirë njërin nga personalitetet fjalëpakë (si gjithë durrsakët!) të detarisë shqiptare, Kapitenin Muhamed Laknori. Jo vetëm specialist i zoti, Laknori është një njeri me horizont kulturor të habitshëm, prandaj dhe bisedat me të janë tërheqëse.

Info / Muhamed Laknori

Lindi në Durrës në vitin 1942. Studioi për navigacion në Odesa (ish-Bashkimi Sovjetik), Dalian (Kinë) dhe përfundoi studimet në Vlorë në vitin 1966. Punoi në Flotën Tregtare nga viti 1966 deri në vitin 1973 si oficer dhe kapiten në anije si dhe në degën e shfrytëzimit të Flotës Tregtare. Në janar 1973 u emërua në Regjistrin Detar Shqiptar (RDSH) si inspektor për pajisjet e sigurimit dhe të lundrimit në anije. Zotëron rusishten, anglishten, kinezishten dhe italishten. Nga janari 1976 deri në korrik 1992 ishte drejtor i RDSH-së. Në periudhën shtator-dhjetor 1990 ishte në Gjermani, ku mori certifikatën e avancuar profesionale të inspektorit të kualifikuar nga Llojdi gjerman. Në korrik 1992 u pushua nga puna në kuadrin e ligjit 24/1.

“Në qershor-korrik 1992 isha me shërbim të miratuar edhe nga Ministria e Komunikacioneve në Greqi. Një pronar grek kishte blerë një traget dhe kishte marrë miratimin për të pajisur anijen me certifikata të RDSH-së dhe me flamur shqiptar. Më 20 korrik 1992, kur isha në Athinë në detyrë, më komunikohet vendimi që marrëdhëniet me RDSH-në më ishin ndërprerë. Ky ishte edhe fundi shumë i papritur dhe me gjithë përpjekjet për të marrë vesh arsyen, i vetmi koment imi ishte zbatimi i ligjit famëkeq 24/1 për pushim të menjëhershëm nga puna”, tregon jo pa trishtim Kapiten Meti.

Th.M.