Një histori gjakmarrje që i ka rrënjët që herët në komunizëm.
Për vrasjen e Prekë Tonajt, policia arrestoi Eduart Kësollën.
Shkak mendohet gjakmarrja mes familjeve pasi babai i autorit gjatë komunizmit, vrau në burg të atin e viktimës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, autori i dyshuar është shtetasi Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re.
Policia dyshon se motivi i vrasjes është kryer për gjakmarrjeje pasi Pal Kësolla (babai i Eduart Kësollas), ka vrarë Nikollë Tonaj në komunizëm në burg. Në vitin 1996 Pal Kësolla u vra më pas nga fisi Tonaj. Dhe kanuni për fat të keq vazhdon.
Policia njoftoi zyrtarisht se, ‘bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje’.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të mëtejshme.





