Itali, 19 qershor 2014– Elisabeta, 34 vjeçe, është një nënë e re shqiptare me tre fëmijë, e cila përpiqet të mbijetojë në Rimini, Itali në kushtet e krizës ekonomike. Elisabeta 5 vjet më parë u nda nga bashkëshorti, që banon në Shqipëri, sepse është i dëbuar nga Italia. Fëmija i saj më i madh është David, 10 vjeç, më pas vjen Emili 5 vjeçe dhe e fundit Esmeralda, 11 muajshe, fryt i një tentative të pasuksesshme të Elisabetës për ta rifilluar jetën.

Elisabeta pa burrë, pa punë, dy herë e nxjerrë me forcë nga banesa për mospagim qiraje përpiqet me gjithë shpirt të mbijetojë. Kushërinjtë dhe miqtë shqiptarë e kanë ndihmuar nga pak, por kaq janë mundësitë e tyre. Komuna në fillim i ka ofruar pak para, por për Elisabetën nuk ka rëndësi lëmosha, por puna. Ajo e ka të vështirë të punojë, sepse nuk ka kush t’i mbajë fëmijët, për më tepër, që nuk ka as banesë, ku të fusë kokën.

E dëshpëruar Elisabeta mendon t’ia lërë fëmijët Bashkisë së Riminit për t’i mbajtur dhe të fillojë punë pa i pasur pranë. Nëse i rregullon fëmijët Shërbimi social i bashkisë, ajo është gati të vrasë dhe veten, mjafton që fëmijët të kenë një mundësi për t’u rritur, qoftë edhe pa asnjërin prind.

Ndërkaq vihet në lëvzije shpirti altruist i italianëve. Një mike e saj e ka strehuar për një javë në një hotel në Rimini, tani që nuk ka filluar ende sezoni turistik. Në qytetin e Riciones e kanë marrë në provë si ndihmës kuzhiniere. Hoteli, ku ka bujtur prej thuajse një javë i ka ofruar një vend pune si pastruese dhomash. Për Elisabetën problem i vetëm mbetet banesa, ku t’i lerë fëmijët, ndërsa shkon në punë.

Me lejen e Elisabetës, media italiane “Romagna.it ” ka botuar madje edhe foton e fëmijëve të saj, ndonëse janë të tre minorenë. Këtë foto e riprodhon dhe “Durrëslajm.com “, në kuadrin e prezantimit të një historie njerëzore, të dhimbshme të emigrantëve tanë në Itali.

Media italiane njëkohësisht lëshon një apel njerëzor, që kushdo që mund t’i vijë në ndihmë kësaj nëne të re me tre fëmijë të mitur le të shkruajë në këtë adresë email: [email protected].

Këpucë, veshje, ndoshta edhe një kontribut i vogël financiar, gjithçka që mund t’i ndihmojë ata të vazhdojnë të jenë sërish së bashku.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/