Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, zhvilloi sot një vizitë në Durrës, ku u takua me stafin e një prej bizneseve më të suksesshme në sektorin e prodhimit, Pasticerinë Pelikan. Pronari i kësaj pastiçerie, Kostandin Tego, një ish-emigrant i kthyer pak vite më parë, mund të konsiderohet vërtet një rast suksesi, pasi falë punës së tij, nga një biznes i vogël me dy vetë, sot ka zgjeruar aktivitetin e tij në dy biznese pasticerie, me rreth 55 të punësuar.

Ministrja Ekonomi uroi pronarin e kësaj pastiçerie për punën e madhe dhe pasionin e tij në zgjerimin e biznesit dhe rritjen e punësimit duke u shndërruar në një model për sipërmarrës të tjerë në Durrës. Ajo shtoi se qeveria po vazhdon të bëjë përpjekje në lehtësimin e të bërit biznes, veçanërisht përmes thjeshtimit të procedurave në QKB, apo në tatime, ku tashmë çdo gjë plotësohet online.

Kostandini thotë se ndryshimet janë të dukshme në sipërmarrjen shqiptare dhe këtë ai e sheh nga përvoja personale.

”Dikur të duhej të prisje në radhe të gjata për të marrë një dokument apo për të bërë një procedurë, sot gjerat janë online. Nëse dikur nuk gjeje staf për ta punësuar në këtë sektor, sot, pavarësisht nga arsimi i lartë që kanë, zgjedhin të punojnë me kënaqësi në pasticerinë tonë”, thotë ai.

Konstandini shton se ende ka plane të mëdha për t’u zgjeruar dhe madje synon që prodhimet e tij 'Made in Albania' të njihen dhe në Europë dhe më tej, ndërsa kërkoi më shumë nga shteti për të ndihmuar me politikat e nxitjes së punësimit, pasi kjo është në interes të dy palëve si të qytetarëve dhe vetë rritjes së biznesit. Durrësi ka gjithsej 13,125 ndërmarrje, 30% e të cilave janë sipërmarrëse femra.​​​​