Një tjetër arritje e shkëlqyer për studentët durrsakë, një tjetër shembull frymëzues, që tregon se kur ekziston pasioni, dëshira dhe përkushtimi për degën e zgjedhur gjithçka mund të arrihet dhe mund të shkëlqesh edhe në universitetet më të njohura në botë.
Ky është shembulli i studentes durrsake Boriana Gjura, ish-maturantes së kolegjit “Turgut Ozal” në Durrës, në vitin 2014. Është po kjo shkollë, që përmes një postimi në Facebook, evidenton arritjet e rëndësishme të Gjurës në Universitetin e Pristonit, në Amerikë.
Tashmë në vit të fundit të studimeve, falë rezultateve të shkëlqyera në kolegj në Durrës, në provimin e SAT-it dhe në olimpiadat e matematikës, Boriana fitoi bursë pranë universitetit të njohur amerikan.
Por talenti i spikatur i vajzës së re durrsake në fushën e matematikës ka dalë në pah edhe në kontinentin e largët.
Arritja më e fundit e studentes së shkëlqyer është pranimi në universitetin e Harvardit, në degën Inxhinieri dhe Shkenca kompjuterike, për studimet e doktoraturës.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Përkushtimi dhe ambicja e Borianës duket se i ka dhënë frytet e dëshiruara, duke i mundësuar asaj tashmë marrjen e doktoraturës në njërin prej universiteteve më të famshme në botë, që ka nxjerrë nga aulat e tij emra të famshëm të politikës, ekonomisë, jurisprudencës etj kudo nëpër botë.
Shpresojmë që universiteti i Harvardit të jetë vetëm ndalesa e rradhës së Borianës së talentuar!





