Histori suksesi nga ato që na bëjnë të na përshkojnë grimcat e krenarisë teksa lexojmë e mësojmë më shumë se ç’ndodh me shqiptarët tanë në botë.
Në nderim të doktoratës së një vajze shqiptare, Fioralba Ajazi Wallin, Doktore Matematike, në Universitetin e Shkencave Lund në Suedi, është ngritur flamuri shqiptar.
Flamuri u ngrit në nderim të shqiptares, ditën që ajo bëri mbrojtjen e doktoraturës, shkruan “DurrësLajm”.
Fioralba ka lindur në Krujë e është rritur në Itali, e shpeshherë vjen edhe në Durrës për të kaluar pushimet. Megjithëse ajo ka dy nënshtetësi (italiane dhe shqiptare), zgjodhi pikërisht flamurin kuqezi, për të nderuar veten, origjinën dhe rrënjët e saj.
Në historinë e universitetit të Lund-it, si institucioni më i vjetër i arsimit të lartë jo vetëm në Suedi por edhe në të gjithë Skandinavinë, nuk ka pasur kurrë një doktorant shqiptar, e për këtë arsye edhe festa e gëzimi ishin të dyfishta.
Fioralba bën pjesë tek ata studentë e shkencëtarë që jetojnë në thjeshtësi, pa bërë zhurmë e propagandë për arritjet e tyre, tek ata që më mirë se gjithëkush flet puna e rezultatet e tyre, duke na bërë padyshim të ndjehemi krenarë. Edhe “DurrësLajm”, ndaj i kushtoi disa rreshta këaj vajze, për të përcjellë modelin e bukur dhe shembullor, nga i cili do të ishte mirë të frymëzohej rinia e sotme.
Një rast i ngjashëm u shënua edhe pak ditë më parë, në kolegjin “UWC Atlantic College” në Angli, ku nga 370 përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve vetëm një studente nga Shqipëria, Viola Gashi, në shenjë respekti për ditën e Pavarësisë për kombin shqiptar, ka ngritur në çatinë e tij, flamurin kuqezi.





