Pas-titistët përkthejnë “Titistët” e Enver Hoxhës në serbo-kroatisht për përdorim të brendshëm
Zbulohet një përkthim i shaptilografuar dhe i shtypur me makinë shkrimi në serbo-kroatisht i librit, që Beogradi në vitin 1982 do ta shpërndante me lista speciale për përdorim të brendshëm.
Enver Hoxha. “TITOISTI (Istorijski zapisi)” ‘E. Hoxha “Titistët (Shënime historike)” botim për përdorim të brendshëm i PCKSKJ – Sektor za IPD (Predsednistvo Centralnog komiteta Saveza Komunista Jugoslavije – Sektor za Inostranu Politicku Delatnost [Presidiumi i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë – Sektori për veprimtarinë e politikës së jashtme]. Srpsko-hrvatsko izdanje [Botim serbo-kroatisht]), ky është shënimi në një botim unikal të mbyllur në gjuhën serbo-kroate i librit të famshëm të Enver Hoxhës për Titon dhe titistët.
Kjo vepër e Enver Hoxhës është botuar në Tiranë në vitin 1982 nga shtëpia botuese “8 Nëntori” vetëm në anglisht, frëngjisht dhe rusisht.
Prandaj Beogradi i periudhës pas-titiste u interesua ta përkthejë në serbo-kroatisht drejtpërdrejt nga gjuha shqipe dhe në kohë rekord, të shaptilografuar dhe të sekretuar.
Mareshali i Jugosllavisë Josip Broz Tito (1892-1980) kishte dy vjet që kishte vdekur, por në udhëheqjen e lartë kishin plasur dicergjenca të mëdha që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Vepra ka vëllim të madh faqesh dhe vështirësi kuptimore për shkak të përdorimit të një fjalori dhe frazeologjie të pasur nga autori, por edhe selia qendrore e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë kishte nevojë të ngutshme për t’u njohur me “Titistët”.
Për këtë qëllim u rekrutuan 9 përkthyes të njohur, kryesisht shqiptarë me përvojë në përkthimet nga shqipja në serbo-kroatisht dhe anasjelltas. Për redaktimin / lektorimin e kësaj vepre të vështirë u caktuan personalitete të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe.
Info
Përkthyen:
Gjeto Leka: “Duke u ngritur mbi armiqësitë e vjetra (Në vend të hyrjes)” dhe kapitulli I “Nga kontaktet e para – te dyshimet dhe fërkimet e para”,
Bajram Jashari: kapitulli II “Prapaskena e Beratit”,
Hikmet Gusija: kapitulli III “Agjentura e Titos në veprim”,
Nazmi Islami: kapitulli IV “Te Titoja”,
Hysen Kadriu: kapitulli V “Ndihma titiste zinxhir për skllavërimin ekonomik e politik të Shqipërisë”,
Nebih Islami: kapitulli VI “Titoja hedh për zbatim planin e gllabërimit të Shqipërisë” dhe VII “Vizita jonë e parë në RP të Bullgarisë”,
Mikel Ndreca: kapitulli VIII “Titistët drejt demaskimit dhe disfatës së pashmangshme”,
Titomir Shaljiq: kapitulli IX “Ndarja jonë përfundimtare me Titon dhe titistët”,
Musli Imeri: kapitulli X “Në luftë të hapur me titistët”.
Redaktuan / lektoruan:
Dr. Idriz Ajeti: “Në vend të hyrjes” dhe kapitulli I,
Vehap Shita: kapitujt II, III, dhe IV,
Hasan Mekuli: kapitujt V, VI, VII, VIII dhe IX,
Gjeto Leka: kapitulli X.
Th.M.