Çfarë rëndësie ka historia gojore? Kujt i shërben ajo? A e zotërojnë shqiptarët këtë traditë? Nëse jo, çfarë humbasin?

Albanologu Robert Elsie, gjatë një takimi në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës, argumenton mendimin e tij. Përse është e rëndësishme historia gojore? Sipas tij, historinë e Shqipërisë e kanë shkruar të huajt, ndërsa shqiptarët kanë mbetur memecë. Prandaj, ata duhet që të punojnë më tepër në këtë drejtim, sepse nëpërmjet historisë gojore, ajo që mungon mund të plotësohet. Elsie mendon se edhe gazetarët, nëpërmjet intervistave që ata bëjnë, mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, por në shumë raste kjo gjë mund të arrihet dhe nëpërmjet familjarëve.

Robert Elsie është shkrimtar dhe gjuhëtar me njohuri enciklopedike dhe shumë vepra të botuara mbi kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare. Që prej vitit 1990, Elsie ka ofruar një spektër të gjerë të teksteve dhe dokumenteve mbi historinë e Shqipërisë.

Z. Elsie, çfarë duhet bërë që ne të kemi një histori alternative gojore?

Kush duhet të merret me këtë? Jeni ju vetë, gazetarët, që duhet ta bëni këtë. Nuk ka nevojë për shumë gjëra; vetëm për një kamera, mikrofon dhe mundimin e transkriptimit. Kjo gjë po bëhet tani në Kosovë për Luftën e Dytë Botërore. Por, mbase nuk janë vetëm gazetarët ata që duhet ta ruajnë, por dhe familjarët, që jetojnë me ta brenda për brenda familjes. Për shembull, çamët kanë përjetuar histori të tmerrshme në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur ata erdhën në Shqipëri. Por, ende dhe sot jetojnë njerëz, që i kanë përjetuar ngjarjet. Fëmijët e tyre duhet t’i pyesin dhe t’i incizojnë, sepse historia e Çamërisë është shkruar nga grekët.

Pra, ju mendoni se nuk është vonë që historia gojore të zhvillohet dhe në Shqipëri?

Për mua nuk është vonë, sepse historia e shkruar është e paktë në botën shqiptare. Historia e Shqipërisë është shkruar nga të huajt, jo nga shqiptarët. Shqiptarët kanë mbetur memecë, nuk ka shumë burime. Ka shumë pjesë të Shqipërisë që nuk njihen fare. Nuk janë pyetur njerëzit e thjeshtë se çfarë ka ndodhur? Ju e dini se, bota shqiptare nuk ka pasur shumë intelektualë në shkrim, njerëz që të dinin të hartonin një libër për historinë, për ngjarjet etj., prandaj dhe shtypi, intervistat nga gazetarët janë me shumë rëndësi për historinë gojore. Historia shqiptare është mrekulli, por është e rrethuar nga mjegulla. Atë që zbuloj unë, unë nuk e zbuloj, por më shumë e bëj të njohur. Është vetëm një përpjekje, por ka shumë zbulime, që nuk varen nga unë, por nga shqiptarët që duhet t’i zbulojnë.

Ju keni punuar dhe për Eposin e Kreshnikëve…

Prandaj Eposi më pëlqen shumë, sepse është një traditë gojore, që është trashëguar te brezat, sidomos në Veri. Por, po zhduket tani. Mendoj se pas 10 – 15 vjetësh nuk do të ketë më lahutarë, sikurse kanë qenë.

A mundet që kjo formë të jetë një lloj dëshmie për brezat e ardhshëm, për të kuptuar qoftë se si kanë ndodhur ndryshimet në dialektet gjuhësore?

Sigurisht, sepse njerëzit e moshuar janë ata që mbajnë pasuritë dialektore. Unë kam bërë shumë intervista të traditës dialektore. Nuk u interesova aq shumë për atë që thoshin njerëzit, por se si e thoshin ata. Besoj, që kjo është një pasuri, sepse dialektet po zhduken çdo ditë dhe më shumë. Njerëzit tani duan të flasin të gjithë si tiransa (qesh).

Si e keni përjetuar këtë eksperiencë?

Unë kam bërë shumë intervista. Por, në atë kohë nuk kam kuptuar asnjë fjalë, veçanërisht gegët në Veri të Shqipërisë apo në Kosovë. Tani, duke i dëgjuar incizimet shumë herë, arrij që t’i kuptoj. Po a ka një histori gojore nga periudha komuniste, që ju i riktheheni? Asgjë të veçantë, por sigurisht që ka shumë për të mësuar. Unë kam folur me shumë njerëz, të thjeshtë dhe me ata që ishin në pushtet në atë kohë, por nuk donin që të tregonin shumë. Kjo është një mungesë, sepse ky brez njerëzish do të zhduket në Shqipëri.

Po ata që flasin, sa duhet t’u besojmë?

Kjo është punë investiguese. Një gazetar i mirëfilltë di që të zbulojë se kur është apo jo një histori e vërtetë. Prof. Alessandro Portelli tha se, kur historia gojore ndryshohet në atë moment bëhet interesante. Pse njerëzit konceptojnë ndryshe? Pse gënjejnë? Ka njerëz që gënjejnë, kuptohet. Por, pse? Ata që kanë qenë asokohe komunistë pas rënies së sistemit dolën si demokratë, si kundërshtarë të regjimit. Faktikisht ata kanë qenë pjesëtarë të regjimit.

Kur jeton vetëm njëra palë, mbetet të hapen dosjet, këtë disa e mbështesin, disa të tjerë jo. Ju mendoni se dosjet duhet hapur, për t’u ballafaquar me atë pjesë të errët të së kaluarës?

Nuk e di. Ky është një problem i madh, që mund të shkatërrojë shoqërinë shqiptare.

Marrë me shkurtime nga gazeta "Shekulli"