TIRANE, 12 maj 2013– Kjo është historia e një vajze të re që ka luftuar me drogën duke fituar betejën me të. Orjana H. është 22 vjeçarja që sot jeton me vajzën e saj të vogël, duke bërë një jetë krejt normale, madje ajo është punësuar në shoqatën “Aksion Plus”, shoqatë që trajton dhe kujdeset për përdoruesit e drogës. Gjatë intervistës së saj 22 vjeçarja i bën apel shoqërisë shqiptare që mos ti braktisin djemtë e vajzat që janë bërë pre e drogës, pasi ata nuk e kanë zgjedhur vetë këtë rrugë, ata janë viktima të helmit të bardhë. Ndaj dhe për këtë fakt duhet tu qëndrojmë atyre afër e ti ndihmojmë sa të mundemi të dalin nga tuneli i frikshëm i drogës. Sot Orjana qëndron afër personave që janë përdorues duke i trajtuar e duke i ndihmuar ata përmes projektit “Dil nga Rrethi”. Shembulli i 22 vjeçares le të jetë një apel për të gjithë ne.
Nga ARTA AGOLLI
Orjana H. është 22 vjeçarja që prej 3 vitesh ka qenë përdoruese e lëndëve narkotike, madje ka provuar edhe heroinën, pluhurin e bardhë që shkatërron jetë. Në një intervistë të dhimbshme, për Tirana Observër ajo rrëfen çdo detaj që nga netët e gjata kur përpëlitej e vetme në spital prej overdozave e deri tek lindja e vogëlushes së saj. Orjana tregon të gjitha peripecitë e kaluara për tu shkëputur nga droga, që nga hera e parë kur në një grup shoqëror ajo ka marrë drogë me shiringë, e deri tek momenti kur i dha forcë vetes duke u shkëputur me shumë mundim nga të qënit e droguar. Sot 22 vjeçarja është shëndrruar në një këshilluese për të gjithë përdoruesit e drogës që marrin metadon në “Aksion Plus”.
Si ka qenë të jetojë veç të tjerëve, nën efektin e drogës?
Disa herë kam rrezikuar jetën, kam përjetuar fundin, kam menduar se jeta ime mori fund madje për dy vite e gjysmë familja ime nuk më takonte, pastaj nëna ime u bashkua me mua dhe bëri të mundur kurimin tim në Aksion Plus, atje mendova dhe i dhashë vetes forcë se jeta është e bukur, dhe nuk duhet çuar dëm për një pluhur shkatërrues siç është droga. Kur isha përdoruese të gjithë më përbuznin për shkak të drogës, dhe prej heroinës kam humbur një pjesë të shoqërisë time por unë nuk kam zgjedhur këtë mënyrë me të tjerët, pasi jam futur me dëshirë duke punuar në projektin “Dil nga Rrethi” duke u takuar çdo ditë me përdoruesit e drogës në qendrën “Aksion Plus”.
Ti ke qenë një prej përdoruesve, si ka qenë Oriana dikur dhe si është sot?
Më duket si ëndërr, kam qenë vetëm 17 vjeçe kur i dashuri im, ishte lidhur me disa djem që merrnin drogë, herën e parë qe e kam provuar ka qenë shumë joshëse, pastaj nuk rrija dot pa të. Ishte e pamundur. Kam arritur deri atje sa kam shitur edhe rrobat e trupit, mungoja thuajse çdo ditë në shkollë, derisa arrit një moment kur im atë e mori veshë e më përzuri nga shtëpia, rrija në shtëpi me të dashurin tim dhe mbeta shtatzënë me të, jeta ime u komplikua edhe më shumë, nëna ishte i vetmi njeri që nuk më la në baltë, ajo më regjistroi në Aksion Plus dhe prej një viti e gjysmë u trajtova me metadon. Tani që punoj me djemtë e vajzat që kanë qenë si unë, çdo ditë dëgjoj histori nga më të tmerrshmet, përdoruesit bisedojnë lirshëm me mua pasi dikur unë kam qenë një prej tyre, ata flasin me kode, janë të papërqendruar shpesh herë bëhen agresivë, ndaj edhe nuk duhet ti kërkosh llogari apo ti bësh të ndihen të veçuar, unë e di si ndihen.
Kush ishte motivi që ja dole mbanë, çfarë shembulli i jep vajzave që sot janë përdoruese?
Ja dola mbanë, i dhashë vetes forcë dhe tani nga përdoruese që kam qenë dikur, sot dua të shpëtoj. Atë jetë dua ta hedh pas krahëve, motivi ka qenë vajza ime që sot është tre vjeçe, kam parë se si është përgjëruar nëna ime për mua, si ka qarë bashkë me mua, madje në shumë raste ka vuajtur njësoj me mua, dhe nga kjo i dhashë vetes forcë sepse dhe unë do të bëhesha nënë vetë, dhe do të ishte mëkat që vogëlushja ime të rritej nga një nëna narkomane. Të gjitha vajzave dhe djemve që marrin drogë, u bëj thirrje që të luftojnë me veten e të mundohen të mos jenë vartës të drogës, është gati e pamundur por nëse ke një motiv në jetë për këtë gjë mundesh. Prej një viti drejtuesit e qendrës më kanë përfshirë në projektin e quajtur “Dil nga Rrethi” ku bashkëbisedoj me një pjesë të përdoruesve të drogës dhe rezultat e punës ashtu si më thonë janë të admirueshme.
Çfarë apeli do ti bëjë shoqërisë shqiptare?
Apeli im për shoqërinë shqiptare është vetëm një, këto vajza dhe djem që gjenden rrugëve të droguar a mundemi ti ndihmojnë sa kemi forcë, pasi unë kam qenë dikur si ata dhe e di si ndihesh kur shoqëria të largohet, kur je vetëm dhe i braktisur nga të gjithë. Do tu drejtoja një lutje prindërve që të mos i gjykojnë fëmijët e tyre por tu gjenden pranë e të luftojnë në rrugën e vështirë të drogës. Një tjetër apel do tia drejtoja edhe institucioneve shtetërore, që të mundësojnë trajtime të posaçme për personat që janë narkomanë pasi në Shqipëri vetëm Aksion Plus mund të kryejë trajtimin me metadon. Madje në disa raste unë kam parë me sytë e mi, sesi vajza dhe djem të rinj, në momentin që kanë pasur krizat duke u dridhur kanë vuajtur në mënyrë të tmerrshme derisa drejtuesit e Aksion Plus, kanë bërë të pamundurën derisa kanë gjetur pak metadon, pasi prej disa vitesh ka mungesa për këtë preparat që kundërvepron ndaj heroinës.





