Dy vajza binjake të moshës 9 vjeçare rezultojnë të zhdukura që prej zjarreve katastrofike të së hënës në Mati, rajon afër kryeqytetit Athinë. “Kathimerini” raporton se mëngjesin e së Mërkurës për binjakët është lëshuar edhe Alarmi Amber, për rrëmbim të mundshëm të tyre.

Historia e tyre u kthye në një thriller kur babai i tyre, Yiannis Philippopoulos, tha se i kishte parë dy vajzat, Sofia dhe Vasiliki Philippopoulos, duke zbritur nga një varkë që transportonte të mbijetuarit e zjarrit, që në përpjekje për të shpëtuar jetët ishin futur në det.

Philippopoulos tha se ai dhe bashkëshortja e tij kishin kontrolluar spitalet, stacionet policore dhe një morg para se t’i shihnin ato në televizor. Por, më vonë rezultoi se vajzat në varkë nuk ishin vogëlushet 9-vjeçare. Emrat e tyre nuk ishin në listën e pasagjerëve në varkë, ndërsa burri që qëndron pranë tyre në foto pretendoi se ishte babai i tyre.

Babai i nëntëvjeçareve dërgoi pamjet në polici, por nuk ka informacion të mëtejshëm mbi vendndodhjen e tyre. Gjyshërit e vogëlusheve, tek të cilët ato kishin shkuar për pushime kur filluan zjarret, rezultojnë të zhdukur gjithashtu.

Të paktën 81 persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas zjarreve që përfshinë distriktin Mati mbrëmjen e së hënës, duke i zënë njerëzit në makina, buzë shkëmbinjve, ndërsa të tjerë u detyruan të hidheshin në përpjekje për të mbijetuar.

Departamenti i Zjarrfikësve tha se bilanci i viktimave kishte shumë gjasa të rritej teksa ekipet po kërkonin në mbi 2 500 shtëpitë e shkrumbuara dhe shpresat për të gjetur të mbijetuar edhe në mesin e atyre që janë hedhur në det për t’u shpëtuar flakëve janë shuar.

Greqia po përgatitet t’i shpallë këto zjarret më vdekjeprurëse në historinë greke të pasluftës. Ndërsa zjarri më me pasoja në Europë deri më tani rezulton ai i Landes,në jugperëndim të Francës në vitin 1949,  i cili u mori jetën 82 personave./tvklan