Në nëntor 2019, Emmanuel Lucau, një refugjat nga Republika e Kongos, rrëfeu se si ai arriti  t’i mbijetonte ekzekutimit në atdheun e tij.

Në atë kohë ai po priste me padurim aprovimin për të sjellë familjen e tij në Greqi, kërkesë që ishte refuzuar një herë. Pothuajse një vit më vonë, rruga dukej ende e gjatë, por Lucau ka në duar një vendim premtues nga një gjykatë greke.

Pavarësisht se ai mbijetoi dhe po jeton më një plumb në kokë, kjo i ka shkaktuar atij shumë probleme shëndetësore, përfshirë epilepsinë. Ai erdhi në Greqi në 2012-n. Katër vite më vonë, Lucau paraqiti një kërkesë për bashkim familjar në gusht 2016.

Në mars 2018, kërkesa e tij u refuzua. Disa ditë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së 3 anuloi këtë vendim, kështu që çështja e tij do të shqyrtohet edhe njëherë.

Sipas avokatëve të refugjatëve, Eleni Kagiou dhe Hara Katsigianni, të cilët po merren me çështjen e tij, ky vendim konsiderohet shumë i rëndësishëm pasi këto çështje janë shumë të rralla për gjykatat greke.

Ky vendim “është një fitore e parë për Emmanuel”. Sidoqoftë, mbetet ende një rrugë e gjatë përpara, pasi pas vendimit të Gjykatës, administrata kompetente do të rishikojë edhe njëherë çështjen e tij.

Lucau ka deklaruar se: “Unë kërkoj të jem me familjen time që të mund të kujdesem për ta” dhe ka shtuar se: “Të gjitha gjërat kërkojnë kohë, njeriu duhet të ketë durim. Durimi dhe këmbëngulja janë të justifikuara në fund”.

Dy avokatët e tij theksojnë gjithashtu se vetë çështja e Lucau: “pasqyron realitetin e zymtë të të gjithë refugjatëve në Greqi, të cilët prej shumë vitesh po përpiqen të ribashkohen me familjet e tyre, por pa sukses”./abcnews