Futbolli njihet si një nga sportet që sjell shumë përfitime për lojtarët dhe jo vetëm. Shumica e të rinjve, sidomos në vendet ku nuk ka një ekonomi të qëndrueshme, e shohin futbollin si një mundësi për të shpëtuar nga varfëria dhe për të bërë një jetë sa më të mirë.

Të jesh një futbollist profesionist, e aq më tepër të luash në kampionate prestigjioze si Premier Ligë apo Liga e parë franceze, jo domosdo do të thotë që t’i kesh xhepat plot. Rasti që do t’iu servirim më poshtë është i pazakontë, të paktën për botën e futbollit. Viktor Anikebe akuzon në një postim në “Instagram”, ish-shokun e tij të ekipit që nuk i ka kthyer një borxh prej 10 mijë paundësh.

Ish-lojtari i Evertonit, Uest Bromuiç dhe Sandërlendit, ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke i bërë thirrje ish-shokut të tij të skuadrës, Stefan Sesenjo, që t’i kthejë paratë që ky i fundit i ka marrë borxh. Por, nuk mbaron këtu, pasi siç thotë Anikebe, lojtari nga Benini, i detyrohet dhe lojtarit të Sëlltik, Mulumbu.

Nigeriani ka luajtur së bashku me Sesenjon për tre vite tek Uest Bromuiç deri në vitin 2016, ku pjesë e ekipit ishte gjithashtu dhe Jusuf Mulumbu. Duket se marrëdhëniet miqësore mes lojtarëve janë prishur së fundmi, të paktën kështu duket nga postimi i fundit i Anikebes në llogarinë e tij në “Instagram”.