Policia: Vetëvrasja e papritur, pranoi të zbriste nga shtylla dhe të dorëzohej

27shtator 2015 – Të tjera detaje zbardhen nga tragjedia e sotme në Shijak. Për të bindur autorin Dritan Petova të dorëzohej e të zbriste nga shtylla e tensionit të lartë ka shkuar edhe djali i tj i mitur. Por, ndonëse u mendua se 41-vjeçari po zbriste, ai qëlloi veten duke mbetur i vrarë.

POLICIA

Vendimi i 41-vjeçarit për t’u vetëvrarë ka qenë i papritur për forcat e Policisë që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Kjo pasi Petova kishte rënë dakord me grupin negociator që do të zbriste dhe do t’i dorëzohej policisë. Në momentin kur po zbriste ka qëlluar veten me çifte në mënyrë të papritur.

DËSHMITARËT: DRITANI PINTE ALKOOL, JA SI NDODHI NGJARJA

Pak orë pas ngjarjes së rëndë në Shijak, ku mbetën të vrarë babë e bijë, dëshmitarë dhe fqinj të dy familjeve kanë treguar për News24 se si ka ndodhur ngjarja. Ata kanë thënë se 41-vjeçari Petova konsumonte alkool, ndërsa sot kishte shkuar që në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e vjehrrit të tij, ku qëndronte prej disa kohësh edhe Zara.

“Ai ka mbërritur në 5:30 në banesën e vjehrrit, ku i ka hapur derën vajza 10 vjeçe, dhe Dritani i ka thënë: Dua mamanë tënde. Pasi Zara ka dalë në derë, 41-vjeçari ka debatuar me të dhe pastaj e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka dalë vjehrri dhe ai ka qëlluar edhe në drejtim të tij. Vjehrra e tij ka mbajtur vajzën. Ai ka ikur në shtëpinë  e tij, pak metra më tutje ku ka marrë një shishe, ndërsa çiften e ka mbajtur në krah dhe më pas ka hipur në shtyllë”, kanë thënë dëshmitarët.

FAMILJA LEKA HAP DYERT E MORTIT

Në familjen Leka, me origjinë nga Dibra, ka rënë zia. Zonja e shtëpisë ka hapur dyert e mortit për vdekjen e bashkëshortit të saj 71-vjeçar dhe vajzës 35-vjeçare. Banorë të zonës thonë se ishte një familje e nderuar dhe model dhe nuk kanë patur kurrë konflikte. 71-vjeçari Ismet Leka megjithëse i moshuar punonte shumë. Ai kishte 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë, njëra prej të cilave tashmë do të varroset në të njëjtën ditë me atë atin.

/Balkanweb/