Në vitin 1995 u largua nga Shqipëria me gomone, duke sfiduar detin. Sot është biznesmen, ka rreth 40 punonjës në biznesin e tij dhe shprehet se ndihet italian.

Kjo është historia e durrsakut Klodian Qoshja, 41 vjeç. Që nga viti 2003 ai drejton një sipërmarrje që merret me regjje lëkurësh, e hapur në fillim në Crespadoro, më pas në San Pietro Mussolino, në Itali.

Historia e tij në vendin fqinjë nisi si klandestin, më pas gjeti punë, bëri dokumentet dhe në fund nisi aktivitetin si sipërmarrës.

“Kam përjetuar frikën e vërtetë, por në Itali njerëzit më kanë bërë të kem besim”, është shprehur Qoshja për një medie lokale në vendin fqinjë.

Ishte vetëm 19 vjeç, kur një natë hipi në gomone, la pas Shqipërinë dhe mbërriti në brigjet italiane.

“Kam punuar në të zezë, me ditë, derisa në vitin 1996  ndryshimet ligjore bënë të mundur të punësohem sipas rregullave. Jeta e klandestinit është e vështirë, jeton me frikën se do të të gjejnë e do të të kthejnë”, thotë ai.

Në San Giovanni Ilarione mësoi të punonte lëkurën. Pas disa viteve vendosi të hapte një biznes të vogël dhe u spostua në Crespadoro.

Kompanisë i ka vënë emrin e gruas “Dorina”, nënës së tre fëmijëve të tij.

“Në vitin 2004 e hapa, më pas në 2007 u transferova në San Pietro Mussolino, për të zgjeruar sipërmarrjen e nisur. Nuk kam pasur probleme. Njerëzit janë sjellë mirë me mua, ndoshta sepse shohin që impenjohem, që i respektoj dhe u ngjall besim. Edhe me klientët nuk kam pasur probleme, nuk jam ndjerë asnjëherë i diskriminuar meqë jam shqiptar, madje më kanë mbështetur. Është e rëndësishme që kush vjen këtu, të respektojë vendin që e mirëpret”, thotë biznesmeni durrsak Klodian Qoshja.