Një emigrant shqiptar që punoi si kamerier në një restorant në Long Island për 24 vjet, dhe gjithmonë ishte një taksapagues i rregullt, u kap nga agjentët e emigracionit, u mbajt dy ditë në burg dhe pastaj e hipën në avion drejt Shqipërisë. Tani ai është duke qëndruar në Durrës dhe pretendon se nuk është lejuar të telefonojë familjen e tij përpara se të deportohej në prill të këtij viti në vendin e origjinës.

Sokol Vokshi, 47 vjeç, njihej ndryshe si “Sal”. Ai ishte kamerieri i preferuar i të gjithëve në restorantin “Golden Reef” në Long Island. Vokshi ishte i martuar dhe baba i dy vajzave. “New York Post” shkruan se 47-vjeçari u deportua drejt Shqipërisë më 4 prill dhe nuk ka pasur mundësinë që të shikojë fëmijët e tij, të moshës 12 dhe 14 vjeçe.

Avokati i tij Altin Nanaj, tha për “New York Post” se ky rast deportimi ishte i pazakontë, pasi Vokshi ishte pajisur me një numër Sigurimi Social, merrte çdo vit leje pune, paguante taksa dhe nuk kishte asnjë rekord kriminal.

“Ky është një burrë familjeje model, i cili punonte natë e ditë. Mesa duket Agjencia e Emigracionit dhe Doganave është pas çdokujt”, tha Nanaj.

Pronari i lokalit ku punonte 47-vjeçari, tha se nuk e dinte çfarë të bënte kur “Sal” nuk u shfaq në punë. Klientët u mërzitën dhe pyesnin për të. Ata kanë krijuar një fond për Vokshin në mënyrë që të paguajë shpenzimet e avokatëve. Deri më tani kanë siguruar për të 11.500 dollarë.

Sokol Vokshi thotë se ka kërkuar azil politik në “New York” që në vitin 1993. Ai u regjistrua në qeverinë federale dhe i dhanë një numër Sigurimi Social. Kur gjykata refuzoi kërkesën e tij në 1997-n dhe i kërkuan të largohej, ai shprehet se disa avokatë që kishte punësuar i thanë të qëndronte dhe të apelonte vendimin.

“Më thanë: ‘Qëndro gjatë apelit. Vazhdo puno’. Një veprim shkaton një tjetër. Unë qëndrova, punova, u martova dhe bëra fëmijë”, tha Vokshi për “New York Post” nga Durrësi.

Në momentin që pa agjentët e emigracionit më 2 prill, Vokshi tha se mendonte se ishte një rutinë për të diskutuar apelin e tij në gjykatë. Sipas tij, agjentët i nxorën jashtë avokatin, vetë e vunë në pranga, ndërsa tre ditë më vonë e hipën në një avion që e çoi në vendin, ku jeton motra e tij.

“Nuk e njoh këtë vend. Shkoj nëpër restorante dhe bare, por nuk më punësojnë. Mendojnë se jam i vjetër”, thotë Vokshi.

47-vjeçari shprehet se paguan akoma 12.000 dollarë taksa për shtëpinë e tij në Long Island dhe ka deklaruar se nëse nuk i garantohet një vizë për t’u rikthyer sërish në SHBA, gruaja dhe fëmijët e lindur në Amerikë do të kthehen në Shqipëri.

“Nuk mund të ndahemi në këtë mënyrë. Ëndrra jonë amerikane po kthehet në makth”, thotë Sokoli.