Këtë të dielë Anxhelina nga Lezha ka qenë pjesë e “E diela Shqiptare” në Tv Klan, ku ka ndarë me publikun historinë e saj.
Ajo që Anxhelina tregoi në rubrikën “Ka një mesazh për ty” i ka fillesat e saj pa lindur ajo, që në momentin që dy prindërit e saj janë martuar.
“Unë jam Anxhelina nga Lezha. Jam e martuar, kam dy fëmijë. Historia që unë do tregoj është historia e familjes time. Bëhet fjalë për dy prindërit e mi që u martuan. Të paktën babi u martua me dashuri dhe që ditën e parë të martesës gjërat nuk shkuan mirë.”
Ajo i kishte pasur prindërit muzikantë dhe në këtë mënyrë ata ishin njohur me njëri-tjetrin derisa ishin martuar. Por që nga ai moment gjërat kishin ndryshuar pasi babai kishte filluar të ushtronte dhunë mbi nënën e saj.
“Mami më tregon që ditën e parë të martesës ai përdori dhunë edhe kështu vazhduan me radhë. Erdhëm ne në jetë, ne jemi katër vajza. Unë jam e dyta. Filloi me alkoolin që për atë ishte si duket shumë gjë e rëndësishme. Ne kishim mundësi për një jetë më të mirë ekonomike, ai mendoi për alkoolin dhe për shoqërinë në fakt”.
Historia tronditëse e Anxhelinës fillon kur fejohet motra e saj e madhe. I fejuari i motrës duke parë situatën në këtë shtëpi vendosi që të rrëmbente vajzën pasi babai herë i thoshte po, herë i thoshte jo.
“Babi shkon me qëllimin që do shkoj ta vras, por gjërat nuk shkuan ashtu fatmirësisht… edhe fatkeqësisht. Kanë shkuar kanë ngrënë darkë me mamin. Janë kthyer rrugës. Kur janë kthyer rrugës i ka thënë mamit që “atje nuk munda të bëj gjë sepse u grumbullua komplet fisi i tij, por tani do të kem punë me ty”.
Por në fakt ishte mamaja e Anxhelinës ajo që e vrau të shoqin. Ngjarja ka ndodhur në një fshat të Shkodrës, ndërsa dy javë më pas mamaja arrestohet dhe dërgohet në burg. Anxhelina dhe motrat kërkuan që të jetojnë me gjyshërit, se ishin rritur nga ta. Pavarësisht se ato kërkuan që ta takojnë nënën e tyre, familja nuk i la.
“Jo. Nuk na lanë. Ndryshuan gjërat. U ndjeva keq sepse u duk sikur na prenë pak, nuk e mbajtën fjalën”.
Lazëri, xhaxhai i Anxhelinës nuk ka lejuar që ajo së bashku me dy motrat e tjera të komunikonin me mamanë dhe me motrën e madhe që tashmë ishte e martuar. Ai mendonte se ishte pikërisht i fejuari i motrës së madhe shkaku i të gjitha ngjarjeve. Familjarët e pranuan mamanë e Anxhelinës, por prej 21 vitesh ata nuk kanë komunikuar më me motrën e madhe.
“Motra është e papranuar, mirë nga këta që janë të rritur, por edhe nga brezi i ri që nuk dinë asgjë”.
Sipas Anxhelinës, motra e saj duhet ta ketë mundësinë që të jetë pranë gjakut të saj dhe kërkon që Lazëri ta pranojë atë.
Lazëri pranon ftesën e rubrikës “Kam një mesazh për ty” dhe vjen në studion “E Diela Shqiptare”. Para se të shikojë se kush është pas murit ndarës Lazëri ka në mendje dy opsione që lidhen me dy data të ndryshme, 15 Maj dhe 18 Qershor.
Pas murit ndarës ai shikon Anxhelinën dhe i pohon Arditit që mesazhi ka lidhje me datën 15 Maj. Ai pranon që të dëgjojë mesazhin e saj.
Anxhelina: E di që është diçka e papritur që më sheh këtu, e di që nuk e ke pritur. Erdhi koha që mund ta bëjmë këtë diskutim edhe zgjodha këtë format që është shumë i rëndësishëm për ta bërë. Ti e di që ka që nga viti ’98, ashtu siç jemi ne të treja që kemi ardhur te ti, jemi bashkuar në çdo hidhërim e gëzim familjar është edhe Kristina. Janë bërë 21 vjet që ti nuk ke asnjë kontakt me të, as ajo nuk ka me ju. Nuk e di për ty, por ajo nuk ndihet mirë sepse në fund të fundit gjaku është gjak edhe është e drejta e saj që të takohet me njerëzit e vet. Do kisha pasur shumë dëshirë, të paktën po tentoj. Nuk po ta kërkoj me insistim që të bësh një hap më tepër, pse jo, ta takosh, ta pranosh? Qëndrimi që ti mbajte përkundrejt asaj që kur vdiq babi, të paktën për logjikën time nuk më duket i drejtë. Kisha dashur të dëgjoja diçka prej teje se çfarë do të ndodhë tani e mbrapa.
Arditi: E di që është e vështirë, por Lazër jemi ne të mëdhenjtë që i japim drejtim punëve. Jemi ne ata të cilët duhet të dimë të reagojmë me mençuri dhe me urtësi. Jeta është shumë e shkurtër dhe pasuria që lemë ne pas është familja jonë dhe të afërmit tanë.
Lazëri: Është e vërtetë ajo që thua, por unë në respekt të audiencës që ke dhe emisionit nuk e refuzova sapo më erdhi mesazhi. E di se ku jam. Deri këtu nuk e prisja sepse u donte që avash-avash të paktën këto të tria të kishin thënë diçka. Asgjë nuk më është thënë deri më sot. Megjithatë unë sot për sot, në kushte e rrethana që kanë ardhur, unë i jam përkushtuar familjes dhe po punoj që të rris ata. Ma thotë mendja që edhe gjatë rrëfimit duhet të ketë thënë diçka. Ajo u dedikohet prindërve të mi. Ne kemi bërë sa kemi mundur kështu që…
Arditi: Tani për ata prindër, për nënën që nuk jeton më…?
Lazëri: Të thashë që është ‘no comment’.
Arditi: Babain nuk e ke në gjendje të mirë shëndetësore mesa di apo jo? Do i japim një sadisfaksion? Do ta pranosh dhe mbesën e katërt Lazër?
Lazër: Ardit nuk kam patur fare pendesë.
Arditi: Unë do isha shumë i lumtur po të më jepje një ‘po’ sot.
Lazër: Është herët për të folur për këtë Ardit. Unë e kuptoj edhe pozicionin e emisionit tënd por është herët sepse edhe me fëmijët e mi nuk e kam diskutuar kurrë këtë muhabet. Ata janë takuar, kanë folur.
Anxhelina: Ata kanë folur me ne të treja, por me motrën e madhe, xhaxhi ti e di shumë mirë se ata nuk kanë pasur asnjë kontakt edhe nuk kanë. Ata janë në dijeni të ngjarjes, janë në dijeni të gjërave. Ka shumë njerëz të afërt të babit Ardit që e takojnë motrën e madhe pavarësisht se ndihen pak keq se thonë që e merr vesh Lazëri. Duan ta kenë afër por nuk munden sepse kryesori je ti xhaxhi.
Arditi: Sa do doja që sot të kishe bërë kthesën e madhe.
Lazër: Ne kemi bërë sa kemi mundur, aq sa kemi bërë. Kush ka dashur ndihmën dhe respektin. Ai që s’e ka dashur, s’e ka dashur.
Anxhelina: Sa ke bërë për kë? Ne jemi duke folur për Kristinën?
Lazëri duke iu drejtuar Arditit: Ti po e sheh reflektimin, sepse në këtë pjesë nuk po i flas fare. Jo se nuk dua ose nuk kam respektin për të, por për këtë pjesë të thashë ‘no comment’.
Arditi: Lazër dukesh shumë autoritar?
Lazëri: Jo nuk është puna te autoritar, por kam parë një mungesë respekti se ka shumë mënyra që mund të hapej muhabeti. Nuk është hapur fare ky muhabet. Me Anxhelinën nuk e kemi pasur këtë mur.
Anxhelina: Unë xhaxhin e shoh që e paska vendosur që të mbajë një qëndrim. Ajo që unë kam parë dhe që nuk më ka dhënë mundësinë që të hap këtë muhabet ka qenë se nuk ka pyetur asnjëherë.
Lazëri: Nuk ka arsye për koment, as për ta komentuar. Në lidhje me ty si Anxhelina nuk kam asnjë gjë. Ne të kemi prit me aq sa kemi pasur mundësi dhe ti duhet të jesh mirënjohëse nëse je.
Anxhelina: Unë jam shumë mirënjohëse.
Arditi: Xhaxha çfarë ke ti kundër Kristinës? A mund ta thuash që ta kuptojmë?
Lazëri: Nuk ka pasur asnjëlloj pendese nga i pari deri te i fundit.
Anxhelina: Nëse ti nuk do Kristinën atëherë nuk jemi as ne. Ajo është motra jonë edhe është shumë e rëndësishme për ne.
Lazëri: Ardit, unë po flas me ty. Kjo shtriu dorën për me marr një përgjigje dhe përgjigjen e mori vetë. Këtu jam i ofenduar. Unë i kërkoj ndjesë të gjithë publikut por jam shumë i ofenduar.
Lazëri nuk dëshiron që ta pranojë Kristinën. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve Arditi nuk mundi ta bindë atë që të japë një përgjigje pozitive dhe ai largohet pa e takuar Anxhelinën.
Por ajo ka ftuar edhe të motrën, Kristinën në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, e cila pranon ftesën dhe vjen në studion “E Diela Shqiptare”.
Anxhelina – Unë e dija që nuk mund të kishte surprizë më të bukur për ty, edhe kjo nuk mjafton. Për ty mund të bësh shumë e shumë gjëra, por kam ardhur me një qëllim sot.
Në fakt aty ku je ulur ti tani, unë kisha ftuar edhe xhaxhin. I kërkova që të të pranonte edhe ty si pjesë e familjes. Ai ngeli anonim, arsyen nuk e dha, pavarësisht se ne e dimë arsyen që nuk ka baza.
Kristina – S’ka problem.
Anxhelina – I thashë që nëqoftëse ti nuk pranon motrën tonë, atëherë nuk do jemi as ne. Ne jemi një! Të paktën tani për tani, ashtu tha.
Ti për ne ke qenë gjithmonë mbështetje, një nënë e dytë në fakt se na ke rritur. Unë sinqerisht do të doja të merrja shembullin tënd që fëmijët e mi t’i rris me shembullin që po u jep fëmijëve të tu. Je me të vërtetë një nënë e mrekullueshme! Unë edhe sot mësoj nga ty, pavarësisht se nuk ta shpreh. Jam shumë krenare që të kam motër! Ti je një grua e mrekullueshme, një familjare shumë e mirë dhe e përkushtuar.
Të siguroj që nuk ka çift pa problemet e veta, por kur ka dashuri të gjitha kalohen!
Kristina – Unë e falenderoj Anxhin që e ka marrë këtë iniciativë për ta bërë se unë nuk e kam marrë deri më sot atë iniciativë që të them çfarë mendoj as për atë e as për pjesën tjetër. Secili ka të drejtën të thotë atë që mendon. 19 vite e gjysmë nuk janë pak për të reflektuar dikush që e ka bërë diçka gabim, por unë nuk jam e habitur prej mendimit të tij. 19 vite e gjysmë janë mjaftueshëm për të treguar që ai dhe të tjerët si ai nuk e kanë llogjikën ose kapacitetin për të menduar se çfarë gabimi kanë bërë. Ata le të rrinë me mendimet e tyre.
Jam mësuar me atë mënyrë jetese që ata e kanë bërë këtë zgjedhje dhe unë e kam pranuar atë zgjedhje pa asnjë mëdyshje sikur ata kanë qenë ose nuk kanë qenë pjesë. Unë nuk kam qenë në një moshë që kam qenë e pjekur, sot mendoj ndryshe. Ata të vazhdojnë jetën e tyre, unë e kam vazhduar timen me kohë.
Unë jam me shumë fat që kam një nënë dhe tre motra përveç familjes time!
Roza, motra e tyre e vogël tregon se ende ka shpresë që xhaxhai i tyre do të ndryshojë mendim, edhe pse është shumë e vështirë duke patur parasysh karakterin e tij dhe ndikimin që ka nga opinioni i njerëzve.
Roza – Gjyshja ka ikur nga kjo jetë dhe motra nuk ka e takuar, i ka ngelur peng në zemër. Po ashtu do doja edhe gjyshin sepse ata kanë qenë gjithçka për ne. Do doja që të paktën ta shihte një herë.
Kristina – Do doja, sigurisht që do të doja. Ai të jetë mirë me shëndet. Unë do të jem shumë e lumtur vetëm të jenë mirë!
Motrat përqafohen dhe puthen, duke na treguar që nëse ekziston dëshira dhe vendosmëria familja do të qëndrojë e bashkuar. /tvklan.al