Një nga veprat më të bukura dhe më të vështira në interpretim, por njëkohësisht një ndër më kulmoret e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm rus Igor Stravinski u rikthye në Durrës.   

Pas më shumë se një dekade, vepra ”Historia e Ushtarit” u risoll në qytetin bregdetar, por këtë herë nën interpretimin e instrumentistëve të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe violinistit të mirënjohur durrsak, Florian Vlashi.

Një përrallë muzikore magjepsëse, ku muzika, fjala dhe lëvizja ndërthuren për të rrëfyer fatin e një ushtari që i shet shpirtin (dhe violinën e tij) djallit…

Një vepër që i flet publikut të përbotshëm, në të gjitha periudhat, kur ajo është vënë në skenë.

Për instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, interpretimi i kësaj vepre është një sfidë e vështirë, por e bukur.

Një vepër e përjetshme, plot ironi, ritëm dhe poezi erdhi mbrëmjen e së shtunës në Durrës për të ringjallur tek artdashësit durrsakë emocionet e forta që vetëm muzika e mirë, aktrimi dhe interpretimi i shkëlqyer dinë të përcjellin.

M.B.