AFGANISTAN, 11 prill 2013 – The Atlantic hedh dritë mbi historinë e burrit afgan të detyruar të shesë vajzën 6 vjeçare për të paguar një borxh. Sipas gazetës, Taj Mohammad kishte “dhënë” të bijën për nuse, në këmbim të faljes së borxhit. Por pasi lajmi është bërë publik në media duket se një donator anonim ka paguar shumën në fjalë.
Historia e vërtetë
The Atlantic shkruan se burri afgan ka qenë i detyruar ta shesë të bijën. Sipas gazetës, aktivistët e të drejtave të njeriut që jetojnë në Afganistan janë indinjuar kur kanë mësuar se burri do ta jepte vajzën e tij pa asnjë problem në këmbim të fshirjes së borxhit.
Babai i vajzës që quhet Naghma do të përfitonte nga martesa e vajzës së tij rreth 2500 dollarë. Ai ka treguar për gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën është i detyruar të jetojë së bashku me 9 fëmijët e tij. Njëri prej fëmijëve, 3 vjeç, i ka vdekur prej të ftohtit, ndërkohë që e shoqja ka nevojë për kura mjekësore.
“Duhet t’u jap vajzën time, megjithëse kam frikë se kur të shkojë në shtëpinë e dhëndrit ajo do të vdesë shpejt. Vajza ime ka shumë dëshirë të shkojë në shkollë, por kur të martohet nuk do mund ta bëjë. Unë nuk mund ta detyroj familjen e dhëndrit ta bëjë këtë gjë. Vajza do të jetë pronë e tyre”,- mësohet të ketë thënë babai i vajzës.
Por sipas gazetës ajo që është më shqetësuese është fakti se një praktikë e tillë është e zakonshme në Afganistan dhe si Mohammad veprojnë shumë baballarë të tjerë me vajzat e tyre.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





