5 dhjetor 2015 – Historitë personale dhe që kanë lidhje me dashurinë gjithnjë ngjallin emocion dhe interes në publik.

E tillë është dhe historia e komedianit Jason Hewlett, i cili vendosi që të tregojë në rrjete sociale atë që i kishte ndodhur.

“Pak e turpshme për ta pranuar, por mendoj se për pak tradhtova time shoqe sot. Gjithçka filloi ndërsa bënte pazar…

Teksa i drejtohesha kasës, pashë një grua që qëndronte në radhë, e cila më la pa fjalë. Uau, lum ai djalë që e ka, mendova, dhe në moment kuptova se ishte gruaja ime. Ishte e habitshme të shihja time shoqe në të njëjtin vend, duke jetuar jetën e saj, pa ditur asgjë që edhe unë isha aty. Dikush qëndronte mes nesh, prandaj unë thjesht e vështroja dashurinë time.

Unë i dërgova disa mesazhe të tipit ‘Hej seksi’, ‘Çfarë po blen zemra ime e vogël?’, por asnjëri nuk ia tërhoqi vëmendjen, e ajo vazhdonte të kërkonte kuponin që kishte ruajtur që të blinte aty. Kështu që hoqa dorë dhe vazhdova’. U shokova nga bukuria e saj. Unë e shoh shpesh, por sot e pashë me një sy tjetër dhe s’mund ta besoja që unë jam partner i saj. Së dyti, u mahnita nga fakti që ajo as nuk m’i hodhi sytë.

Kjo është diçka e mirë dhe e keqe. E mirë sepse ajo nuk i kullot sytë lart e poshtë. E mirë, sepse nuk m’i hodhi sytë mua, tipit të çuditshëm që e shihte mbrapa shpinës. Por mbase kjo është edhe diçka e keqe. Po sikur të mos kisha qenë unë? Më erdhën ndërmend të gjitha tentativat për të fituar dashurinë e saj, përpjekjet ‘herkuliane’ që m’u desh të bëja për vite të tëra që të fitoja vëmendjen e saj dhe të pranonte të dilte me mua në një takim.

Së treti, jam shumë i kënaqur që e pashë plot vetëbesim, si një femër të pavarur, të aftë, të përulur, të ëmbël, plot humor. Pastaj rrëmbeu gjërat e saj dhe doli jashtë. Nuk thashë asgjë, vetëm e vështroja teksa largohej, e admiroja duke ditur se është gruaja ime dhe unë dashuroj gjithçka rreth saj.”

Ky postim ka marrë më mijëra pëlqime dhe shpërndarje nga persona të ndryshëm, që janë emocionuar tej mase kur e kanë lexuar.

/portali DurresLajm/