10korrik 2015 – Një vit më parë, në fshatin Lufaj të Mirditës, u vra Berilion Kaçorri, 30 vjeç dhe u plagos gruaja e tij e re. Autor i krimit është Azem Ukaj, fqinji i tyre, i cili e akuzonte viktimën se i kishte ngacmuar gruan.
Sot u mbyll nga gjykata ky proces, ku u dënua me 35 vjet burg Ukaj. Gjatë shqyrtimit të dosjes u bë e njohur dhe historia e krimit. Sipas prokurorisë, autori vetëm 28 vjeç, bëhej xheloz për të shoqen, por në fund e ktheu xhelozinë në qëllim për të fituar para.
Mesditën e 1 shtatorit të vitit 2014 ai i ka shkuar Kaçorrit në shtëpi, duke e kërcënuar: Më jep 2 milionë lekë, ndryshe do t’i them gruas tëndë që me ke ngacmuar nusen. Kur nuk ia ka dhënë viktima, ai e ka qëlluar për vdekje, ndërsa të shoqen, Orieta Kaçorri e la të plagosur.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se, Azem Ukaj kishte dyshime për ngacmimet që fqinji i bënte gruas së tij dhe e ka marrë këtë të fundit në pyetje. Kjo e fundit ia ka pranuar se mbi 10 herë 30-vjeçari e kishte ngacmuar me fjalë dhe me shenja. Disa ditë para vrasjes, ai ka dëgjuar në telefon Berilion Kaçorrin, duke i thënë dikujt se do i gjente paratë borxh që po i kërkonte. Kjo fjali ka bërë që autori të shpikë skenën sesi do t’ia merrte dy milionëshin. Pas krimit ai u arrestua, por nuk e pranoi motivin e krimit, vetëm se i kërkoi falje familjarëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/