27 tetor 2015 – Prej rreth 17 vjetësh kërkon të çregjistrojë nga certifikata familjare djalin që i ndërroi jetë në pediatrinë e spitalit të Durrësit, por sorrollatet zyrë më zyrë. Ky është Zini Vojka 54 vjeç, babai i katër fëmijëve me origjinë nga Dibra e banor në Fermë Sukth, që me letra në duar sorrollatet sa në një institucion në tjetrin.
“DurrësLajm” komunikoi me prefektin e qytetit, Roland Xhelili për problemin e qytetarit. Xhelili deklaroi se është njohur më herët me problemin në fjalë dhe prefektura ka marrë përsipër ta ndjekë çështjen në gjykatë, dhe të mbulojë shpenzimet për rastin në fjalë, meqënëse familja Vojka nuk ka asnjë mundësi ekonomike.
Z. Zini, cili është shqetësimi juaj?
Vetëm pak ditë pasi kisha mbërritur në Fermë Sukth nga Dibra e çova djalin në spital këtu në Durrës me temperaturë. Djali vdiq pas katër ditësh dhe unë i bëra një varrim të thjeshtë në shtëpi pranë bahçes. Por që atëherë djali më ka mbetur në certifikatë.
Pse ?
Mora certifikatën në spital, të vdekjes dhe shkova në bashkinë e Sukthit te punonjësja e gjendjes civile. Më kërkoi 200 mijë lekë të vjetër për çregjistrim, madje kur i thashë se shteti jep lekë për të vdekurit më nxori përjashta, e nuk më mbaroi punë. Më pas shkova tek avokati i popullit, te ish-prefekti Klodjan Pajuni, te Sali Berisha dhe Edi Rama kryeministër, por të vërtetën nuk e gjeta dot më kurrë.
A e denoncuat punonjësen e bashkisë së Sukthit?
Po, e denoncova, por policia më mori mua në burg jo punonjësen aso kohe. Madje kur shkoja në bashkinë e Sukthit e kërkoja çregjistrimin lajmëronin policinë e më mbanin mua në burg, ndërkohë që unë kërkoja të drejtën time.
Po gjykatës i jeni drejtuar?
Jo, nuk kam mundësi ekonomike të hap gjyq. Kam katër fëmijë në shtëpi, nuk kemi as drita se na i kanë prerë, ngaqë nuk i paguajmë dot. Unë me letra kam shkuar gjithandej, po vetëm sa jam sorollatur në gjithë këta vjet. Përveç kësaj, edhe të vetmen të ardhur që kishim në shtëpi, një kemp invalidideti të vajzës na e kanë hequr.
Sa fëmijë keni, a punoni ju apo fëmijët?
Kam katër fëmijë 2 djem të rritur 25 e 19 vjeç, si dhe dy vajza. Fëmija i tretë vajza 13-vjeçare është e sëmurë epileptike. Pas lindjes u sëmur dhe ishte në kemp. Por prej 1 viti e gjysmë na e kanë prerë kempin dhe askush nuk na thotë pse. Unë kam punuar në ndërtim, por ndërtimi nuk ka më punë, është bllokuar dhe kështu që kemi përfunduar si familje në pikë të hallit.
/K.H. portali DurresLajm/