Dy djemtë nga Laçi, Elis Pasha dhe Henri Talo, të cilët morën peng për disa orë dy studente, u dënuan me nga 3 vite burg nga Gjykata e Tiranës. Ngjarja ndodhi në prill të 2015-s, kur dy djemtë nga Laçi kryen marrëdhënie seksuale me vajzat, të cilat kishin refuzuar ta vijonin më tej lidhjen. Njëra prej tyre tregoi në polici se nuk kishte dashur, por kishte bërë seks, pasi ishte dhunuar.

“Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë vendimin e Gjykatës së Tiranës, ku dy djemtë janë cilësuar fajtorë për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë”.

Ja historia:

LIDHJA ME STUDENTET

Të pandehurit Elis Pasha dhe Henri Talo janë banorë të qytetit të Laçit dhe shokë midis tyre, ndërsa K.L. dhe R.Sh. janë shoqe. Të dyja kanë ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit. Ato banojnë së bashku në një banesë të marrë me qira në kryeqytet, për shkak të vazhdimit të studimeve të larta. Të dyja vajzat janë paraqitur në prill 2015 në polici, duke denoncuar dy djemtë, Pasha dhe Talo.

Vajzat kanë rrëfyer se prej disa kohësh njiheshin me dy të pandehurit, të cilat, duke u ndodhur në shoqërinë e tyre ato veçojnë ngjarjen e datës 21.3.2015. Pasi janë takuar të katërt në qytetin e Tiranës dhe kanë frekuentuar disa lokale, ata janë nisur, me kërkesën e të pandehurve, për në qytetin e Laçit. Kur kanë arritur në atë qytet, kanë hyrë në një ambient dhe kanë nisur të pinë pije të ndryshme.

Aty ka ardhur edhe një shtetas që quhej Sokol, dhe pasi kanë ndenjur për disa kohë, rreth orës 2:00 janë nisur për në Tiranë. Rrugës janë ndalur te hotel “X…”, i cili ndodhet në Vorë, dhe kanë zbritur nga makina, ku kanë marrë dy dhoma. Në një dhomë ka hyrë i pandehuri Elis Pasha me K.L., dhe në dhomën tjetër ka hyrë i pandehuri Henri Talo me R.Sh.. Gjatë qëndrimit aty, i pandehuri Elis Pasha ka kryer marrëdhënie seksuale me K.L., pa kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Ndërsa i pandehuri Henri Talo ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen R.Sh., si dhe ka kryer veprime të dhunshme ndaj saj. Më pas të pandehurit kanë dalë dhe kanë shoqëruar vajzat për në banesën e tyre.

Vajzat u thanë hetuesve se ngjarja e mësipërme ndodhi jashtë dëshirës së tyre. Ato pretendojnë se janë larguar prej tyre, duke mos u takuar me ta, dhe njëkohësisht duke mos e kallëzuar ngjarjen, për shkak të ndrojtjes, opinionit si edhe frikës që kishin prej të pandehurve.

MARRJA PENG

Ndonëse K.L. dhe R.Sh. kanë qenë të larguara prej kohësh prej të pandehurve, ato më datë 8 prill 2015, janë ndodhur përsëri në shoqërinë e tyre në rrethanat e mëposhtme. Kështu, në këtë datë, të dyja kanë qenë në orët e mbrëmjes në lokal “T…” në Tiranë kur K.L. e ka marrë në telefon Saimir Kola, me të cilin njiheshin më parë, dhe së bashku me të, pas pak kohe janë nisur për të shkuar në një lokal tjetër. Te vendi i quajtur “Zogu i Zi”, kur ato ishin së bashku me këtë person, në mjetin me targë AA 030 CV, i cili drejtohej nga Saimiri, në një moment mjeti ka ndaluar, dhe aty ka hyrë pa dijeninë dhe dëshirën e studenteve, i pandehuri Henri Talo, i cili ka marrë drejtimin e mjetit. Ndërsa, i pandehuri Elis Pasha është ulur në vendin e parë të pasagjerit.

Në këtë moment, K.L. dhe R.Sh., tashmë me mbërritjen e dy të pandehurve qëndronin në atë mjet jashtë dëshirës së tyre. Ato kanë tentuar të dalin nga makina dhe të largohen, por ka qenë e pamundur, pasi dyert ishin të mbyllura dhe mjeti është nisur. Pasi janë nisur në drejtim të Rinasit, gjatë rrugës dy vajzat kanë debatuar me të pandehurit dhe kanë kërkuar të ndalojë mjeti dhe të zbresin prej tij. Duke u ndodhur në kushtet e pamundësisë për t’u larguar dhe të gjendura në kushtet e heqjes së lirisë, studentet, në momentin që kanë qenë në afërsi të QTU-së, duke qenë se në rrugë ndodhej një patrullë policie, kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu, me pretendimin se ato po merreshin pa dëshirën e tyre prej të pandehurve Elis Pasho dhe Henri Talo, të cilët i kishin kanosur dhe kishin mbyllur edhe dyert e makinës. Në mjet me to ka qenë edhe Saimir Kola.

HETIMET E POLICISË 

Për të konfirmuar vendin se ku ka ndodhur vepra penale, në vijim të verifikimit edhe të deklarimeve të bëra nga studentet, oficerët e policisë kanë bërë në krye të herës këqyrjen në ambientet e hotel “X…” në Vorë. Gjithashtu, për të përcaktuar nëse K.L. dhe R.Sh. janë abuzuar seksualisht dhe dhunuar prej të pandehurve Elis Pasha dhe Henri Talo, prej oficerit të policisë gjyqësore është vendosur të bëhet ekspertimi mjeko-ligjor i tyre. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 377, datë 14.04.2015, për ekzaminimin e K.L., ka rezultuar se “në trupin e K.L., u konstatuan dy vrahje (cikatrice) në parakrahun e majtë, të cilat janë karakteristike për dëmtimet e shkaktuara nga djegia me cigare. K.L. është e defloruar e vjetër”.
Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 376, datë 14.04.2015, për ekzaminimin e R.Sh., rezulton se “në trupin e shtetases R.Sh. nuk u konstatuan dëmtime trupore. R.Sh. është e defloruar e vjetër”.

DËSHMIA E KOLËS

Saimir Kola i tha gjykatës se: “Unë mora në telefon dy të pandehurit dhe ata erdhën te ‘Zogu i Zi’. Vajzat sa i panë thanë ‘ku po na çoni?’. Se çfarë flisnin, unë nuk i dëgjoja, se kishte muzikë në mjet. Kur na ndaloi policia, K. i kërkoi ndihmë policisë, duke iu thënë se ‘na kanë marrë me zor, na ndihmoni’… Më pas na shoqëruan në polici”. /Gazeta Shqiptare