Për rreth 2 orë, historiani i njohur Pëllumb Xhufi zhvilloi mbrëmjen e së enjtes një bashkëbisedim mjaft interesant me anëtarë të 3 klubeve rotariane të Durrësit.

Në një rrëfim për jetën e tij, akademiku Xhufi zbuloi se kishte lindur “rastësisht” në qytetin bregdetar dhe se kishte qenë babai i tij ai, që e shtyu të studionte ato që në kohët tona njihen si gjuhë të vdekura, latinishten dhe greqishten e lashtë.

Duke u ndalur tek puna e historianit dhe faktet historike, të cilave duhet t’u qëndrojnë besnikë, Xhufi solli shembullin e homologut grek, Konstandin Mercios, që sipas tij ka bërë mëkat me historinë e Shqipërisë, sepse në botimin e tij në greqisht, për “Historinë Mesjetare të Epirit”, ka tjetërsuar përmbajtjen e dokumenteve origjinalë të Venedikut, përsa i përket shqiptarëve.

Gjatë takimit, historiani i njohur shprehu qartë qëndrimin e tij mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe përkatësinë e tij fetare në periudha të ndryshme të jetës. Duke iu përgjigjur interesimit të të pranishmëve lidhur me qëndrimin e tij për tekstet e historisë në shkollat tona, Xhufi parashtroi qëndrimet e tij kundër altertekstit.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi nevojën që të krijohet një brez i ri studiuesish shqiptarë që njohin gjuhët e vjetra, pasi nga studiuesit në moshë kanë mbetur vetëm pak.

I nderuar së fundmi nga presidenti Bajram Begaj me titullin Oficer i Madh, historiani i njohur zbuloi edhe projektet që ka aktualisht në duar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.

“Ju na bëni ta duam historinë”-, i tha në fund të takimit moderatori Bledar Kurti akademikut të nderuar dhe jo më kot Xhufi renditet ndër historianët më të njohur të historisë sonë.

M.B.