Tashmë edhe çiklizmi në vend do të ketë një përfaqësi të femrave. Nisma e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, në bashkëpunim me klubin e Partizanit, ka bërë realitet krijimin e skuadrës së parë.

Zyrtarisht nga federata konfirmohet se këtij projekti ambicioz i janë bashkuar çiklistet Ediola Liskëndaj, Keti Fetishi, Jona Rizvanolli dhe Eda Ymeraj.Prej kohësh, nën drejtimin e trajnerit Agron Kasapi, çiklistet vijojnë stërvitjet intensive. Për një promovim sa më premtues, Federata ka vënë në dispozicion të vajzave edhe bazën materiale të nevojshme, përfshirë biçikletat.

Ndërkohë, vëmendja e Federatës do të jetë në vazhdim Turi Çiklistik. Në një nga aktivitetet më të vjetër në historinë e këtij sporti, që përkon me edicionin e 74-t, pritet një pjesëmarrje masive edhe e skuadrave elitare të huaja, mes tyre edhe ajo profesioniste italiane “Amore & Vita”.

Gjithsek do të ketë 15 ekipe të huaja dhe vetëm 3 shqiptare, çka dëshmon se Turi Çiklistik nga viti në vit po ndërkombëtarizohet. Garat do të zhvillohen në datat 20-24 maj, me prolog Tiranën.