Teuta në basketboll për femra për herë të parë në histori do të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të koshit pas më shumë se 3 dekadash.
Krijimi i ekipit Teuta Basket Femra është një ngjarje sinjifikative për qytetin bregdetar, por në tërësi edhe për sportin e koshit, që nga ky sezon do të ketë në gjirin e vetë një skuadër më tepër që do të garojë për trofetë sezonalë.
Falë dëshirës dhe mbështetjes së shefit të Klubit Shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka, sot Durrësi do të ketë një ekip vajzash në basketboll, që do të garojë në nivelin më të lartë të “koshit” në vend.
Në fakt me emrin e tij në krye të Klubit Shumësportësh, sporti durrsak ka njohur rritje dhe rezultate pozitive në disiplina të ndryshme, teksa vlen të theksohet fakti që Leka si një ish-sportist ka ndikuar që Durrësi të përfaqësohet në të gjitha sportet.
Klubi i Basketbollit Teuta femra në këtë sezon do të drejtohet nga trajneri Besim Dervishaj dhe zv.trajneri i tij do të jetë Ondis Prifti.
Në debutim, Teuta u përballë me Flamurtarin e Vlorës për llogari të Kupës së Federatës. Simptomat ishin pozitive nga bregdetaret, por në fund buzëqeshën kampionet në fuqi të Shqipërisë, që fituan me shifrat 56-47 në një ndeshje emocionuese zhvilluar në pallatin e sportitit “Dhimitraq Goga”.