6 gusht 2015 – Me fitoren e djeshme 2 – 0 në ndeshjen e kthimit kundër skuadrës moldave Milsami në “Elbasan Arena”, Skënderbeu i Korçës shkruan një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar, si ekipi i parë shqiptar që arrin në këto nivele në kompeticionet europiane. Korçarët kanë siguruar play-Off-in e Champions-it, ku mesditën e së premtes do të njihen dhe me kundështarin e tyre, por pavarësisht rezultatit që do të arrijë Skënderbeu në dy ndeshjet e play-off-it, tashmë është siguruar pjesëmarrja në fazën e grupeve të Europa League.

Skënderbeu arriti të mposhtë kampionen moldave Milsami në dy përballjet me të njëjtin rezulat 2 – 0 duke treguar se qëndron më lart dhe e ka merituar plotësisht këtë sukses ndaj moldavëve.

Ishte sërish Hamdi Salihi që i dha fitoren korçarëve në pjesën e parë duke shfrytëzuar një pasiguri të portierit moldav Mitu. Korçarët shfrytëzuan mjaft mirë dhe epërsinë numerike ku pas minutës së 14-të, miqtë moldavë mbetën me një lojtar më pak, pas daljes së Andronic me karton të kuq pas ndërhyrjes së rëndë ndaj Eskardinjës.

Fraksioni i dytë i lojës u kontrollua tërësisht nga Skënderbeu që krijoi një mori rastesh. Por, goli i dytë ka ardhur në minutën e 55-të. Vangjeli jep një pasim perfekt nga krahu i djathtë për Prognin që del i vetëm përballë portierit dhe godet fort me të djathtën duke e dërguar topin në rrjetë.

2-0, pas këtij goli duket gjithcka e mbyllur. Milsami është i pafuqishëm të ndalë këtë Skënderbe të papërmbajtshëm.

Hapin e parë drejt këtij suksesi korçarët e kishin hedhur që në ndeshjen e parë në “Zimbru Arena” me atë fitore 2 – 0, ndërkohë dje në mbrëmje në “Elbasan Arena” vetëm e kanë zyrtarizuar këtë arritje historike.

Tashmë korçarët presin të qetë shortin, i cili do të hidhet në Nion të Zvicrës mesditën e së premtes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/