Posaçërisht për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”

Nga Gëzim Kabashi

Ky opinion mund të ishte shkruar shumë kohë më parë, dhe në një formë krejtësisht tjetër. Do të ishte një shkrim qortues, edhe kritik mund të themi, për mungesën e “autobiografisë” së disa prej sektorëve, ndërmarrjeve dhe institucioneve më të shquara të qytetit dhe rrethit të Durrësit. Sidoqoftë, shqetësimi për mungesën e historikëve të shkruar nga specialistë mbi bazën e dokumenteve arkivore duket se ka prekur ende pak institucione e ndërmarrje me traditë të hershme apo të re.

Nga ana tjetër nuk përbën lajm, fakti që mjaft qytetarë, veçanërisht me prejardhje intelektuale apo tregtare, janë kujdesur për të grumbulluar të dhëna mbi të kaluarën e familjeve të tyre. Qëllimi pak a shumë perëndimor, sa i përket traditës dhe kulturës ka qenë hartimi i “pemës gjenealogjike” të familjes.

Megjithëse mendohet se kanë pasur shumë më tepër të dhëna arkivore dhe materiale të tjera në dispozicion, kjo gjë nuk ka ndodhur me institucionet dhe ndërmarrjet e tjera shtetërore, sidomos me ato që i mbijetuan ndryshimeve demokratike dhe tranzicionit, për arsye të rëndësisë jetike dhe të politikave shtetërore në këto sektorë.

Nuk ka qenë një sipërmarrje e lehtë, për shkak të problematikave të krijuara këto 22 vjet me arkivat dhe dokumentacionet e hallakatura apo të dëmtuara fizikisht, megjithatë, nuk ka qenë një mision i pamundur.

Nëse nuk gabohem, përveç nismës, tashmë të realizuar të Autoritetit Portual të Durrësit, i cili mbështeti gjerësisht kërkimet, hartimin dhe botimin e monografisë “Porti në rrjedhën e viteve – Historiku i portit më të madh të vendit”, shumica e botimeve të tjera të këtij lloji në Durrës kanë pasur dhe vazhdojnë të jenë pasojë e nismave personale, shpesh herë duke filluar që nga ideja.

Siç thashë më lart, këto radhë kanë marrë shkas sot, jo vetëm nga mungesa e librave të tillë, por mbi të gjitha, nga plotësimi dhe entuziazmi që ngjallin dy botime të kohëve të fundit: “Historiku i spitaleve të Durrësit”, shkruar nga dr. Bashkim Habibi dhe “Historiku i sistemit shëndetësor dhe spitalit në rrethin e Durrësit”, me autor dr. Ali Sulën.

Edhe këtu nisma e ndërmarrë nga drejtoria e spitalit rajonal vite më parë është finalizuar në mënyrë të pavarur nga dy mjekë të nderuar të dy brezave të ndryshme. Sidoqoftë, lajmi është tepër i gëzueshëm.

Historiku i një institucioni është biografia e tij, “njohja e rrënjëve të tij”, dhe me të drejtë kushdo që nuk njeh të shkuarën e “familjes” në të cilën punon për dekada me radhë, e ka të vështirë të mendojë për një të ardhme. Rasti i mjekëve Ali Sula dhe Bashkim Habibi, fatmirësisht nuk është i vetmi në Durrës.

Po përpiqem të numëroj disa prej tyre, duke kërkuar ndjesë paraprakisht për mangësitë e mundshme në këtë listë të shkurtër.

Që nga viti 1995 dr. Astrit Hoxha, mësues i Merituar, ka botuar monografitë “Historiku i shkollave të mesme në Durrës” dhe “Historiku i shkollës “Naim Frashëri”, dy shenja të rëndësishme për të lexuar të kaluarën e arsimit në rrethin e Durrësit. Një tjetër dëshmi në këtë fushë e ka sjellë edhe Ylli Qesja me historikun e shkollës “Marie Kaçulini (ish-“Nako Spiru”).

Pas botimit të vëllimit të parë, autori Shefqet Kërcelli, po përgatit pjesën e dytë të historikut të detarisë. Vëllimet për qytetin e Durrësit, të cilat trajtojnë fusha të ngushta, apo që e zgjerojnë okularin e vështrimit historik në Durrës kanë sjellë historianët dhe arkeologët Sali e Hava Hidri, Afrim Hoti, Fatos Tartari, Danish Bebeziqi, Hasan Ulqini, apo edhe të tjerë, të cilët mund të konsiderohen fatlumë, që duke këmbëngulur edhe për publikimin e tyre kanë arritur të botojnë (në shumicën e rasteve me financimin personal) librat, që kanë si temë historinë e mrekullueshme të qytetit tonë 3000-mijëvjeçar.

Por në Durrës ka edhe studiues e historianë “fatkeq”, të cilët për vite me radhë kanë përgatitur monografi e studime me vlerë për sektorë të ndryshëm, por që vazhdojnë të mbeten nëpër sirtarë, në kërkim të financuesve për botimin e tyre.

“Historia e arsimit në Durrës”, “Prefektura e Durrësit, 1912-2012” dhe “Shënime të shkurtra për Arkipeshkvninë” janë përgatitur nga studiuesi Halim Maloku pas një pune kërkimore në arkivat lokale dhe kombëtare, duke rrëmuar në fondet dhe arkivat e ministrisë së Arsimit si dhe në ato të prefekturës së Durrësit. Ky është një nga rastet, me siguri të shumta, të studimeve që për shkak të mungesës së financimit, vazhdojnë të mbeten të panjohura për publikun.

Por cila është rëndësia e këtyre botimeve?

Në kushtet mungesës së vëmendjes së institucioneve apo edhe drejtuesve të tyre për të kaluarën e paraardhësve, çdo botim i këtij lloji, merr një vlerë të jashtëzakonshme, pasi bëhet burim të dhënash për këdo, që kurdoherë, mund ti futet “aventurës” së hartimit të një historiku. Duke iu kthyer vëllimeve historike për spitalin rajonal, shkruar nga dr. Bashkim Habibi dhe dr. Ali Sula, mësohet se po mbledh materialet dhe ka arritur në fazën e botimit edhe një përmbledhje e përafërt, nga prof. dr. Flamur Tartari, kirurgu nefrolog që ka hedhur hapat e parë në profesionin e tij në Durrës, qytetin e tij të lindjes.

Ja përse, kushdo që është në drejtim, apo që do të marrë drejtimin e këtij spitali në të ardhmen, konsiderohet me fat, që bashkë me arritjet në fushën profesionale institucioni ka edhe “biografinë e tij”, historikun e shkruar nga njerëz, që kanë jetuar përditë me shqetësimet dhe realizimet e spitalit.

Të hartosh një historik duhet të jesh i pajisur, përveç kurajës dhe këmbënguljes, edhe me formimin e duhur në fushën e të shkruarit dhe standardeve që kërkon një përmbledhje e tillë. E mbi të gjitha, duhet të kesh “licencën” për të grumbulluar materiale dokumentare dhe foto në arkivat shtetërore e private, të cilat pas viteve 1990 kanë vendosur tarifa pagese për çdo lloj shërbimi të tillë.

Autorët e historikëve për institucionet dhe ndërmarrjet e Durrësit në shumicën e rasteve i kanë kaluar personalisht të gjitha pengesat dhe vështirësitë, për të arritur qëllimin, që i kanë vënë vetes.

Me siguri, pas jo shumë kohësh, Durrësi dhe institucionet që po “fitojnë” këtë pasuri të madhe me emrin “histori e institucionit” do ti vlerësojnë maksimalisht sipërmarrje të tilla titanike personale.

Edhe për një arsye tjetër.

Në mungesë të arkivave, shumica e të dhënave në këto monografi kanë ardhur nga dashamirësia e familjarëve. Siç dihet, nuk jemi të përjetshëm. Njerëzit vdesin, dhe bashkë me ta shumë shpesh edhe dokumentet dhe fotot që ruan familja. Në këtë kuptim, në mos mundemi ti mbështesim financiarisht apo ti ndihmojmë në forma të tjera, ne u detyrohemi moralisht të gjithë kontribuesve në rikthimin e historisë së Durrësit, pavarësisht nga periudha apo sektori për të cilin shkruajnë.

Kur niveli i këtyre botimeve është i lartë, atëherë edhe falënderimi ynë është i shumëfishtë.

/red. th. m. Agjencia e lajmve “Dyrrah”/