Mbrëmjen e së martës Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” organizoi një bashkëbisedim midis banorëve të qytetit, trashëgimtarëve të familjeve të vjetra dhe studiuesve të historisë.
“Familjet durrsake gjithmonë kanë qenë pranuese, si vlerë më të madhe kanë pasur tolerancën”, evidentoi Redi Myshketa, trashëgimtar i Familjes Myshketa.
Ai rrëfeu shkurtimisht historinë e një pjese të familjes dhe foli për gjyshin e tij, Asim Myshketa, një ndër industrialistët e parë të Durrësit dhe themelues i industrisë së parë kombëtare të orizit në vitet e monarkisë.
“Asimi ishte edhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Hysen Myshketa është një figurë tjetër e familjes, që si kryetar bashkie dhe si deputet ka dhënë kontributin e tij për qytetin. Pra nëse Asimi është në anën ekonomike, Hyseni është në anën politike dhe demokracinë”, evidentoi Redi Myshketa përpara të pranishmëve.
Në takimin që u zhvillua në amfiteatrin e qytetit mbi 40 të pranishëm zhvilluan një bashkëbisedim reflektues për Durrësin e sotëm dhe kontributin e figurave që ndikuan historinë e tij.
“Ne kemi nga traditat e të parëve tanë një lloj bashkëpunimi, vullnetarizmi, idealizmi dhe dashurie të madhe për qytetin”, evidentoi Antigoni Suli-Gjergji, pjesëmarrëse në takim.
“Prandaj ne do të donim të dinim më shumë për personazhet e këtyre familjeve të cilët në fusha të ndryshme kanë dhënë kontribute në jetën e qytetit”, përfundoi ajo.
Bashkëbisedimi i organizuar në kuadër të “Javës së Demokracisë Vendore 2022” që zgjati mbi 2 orë bëri bashkë pjesëmarrës të moshave të ndryshme, ndër ta një grupim djemsh e vajzash të apasionuar pas trashëgimisë kulturore.
“Njohuritë që ne kemi është mundësia që për herë të parë të ja japim të rinjve, të cilët mund t’i marrin sot këtu dhe kur të dalin të mund të reflektojnë nëse do mund të bëhen edhe ata individët e çmuar të qytetit, të jenë ambasadorët e rinj që të flasin për vlerat dhe qytetin e tyre, parashtroi Dorina Xheraj-Subashi, eksperte e trashëgimisë kulturore.
Nisma “Qyteti që Rrëfen” ka bërë bashkë një grup të rinjsh që në bashkëpunim me ekipin e Medias Amfora do të dokumentojnë historitë e familjeve të vjetra përmes mbështetjes nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
“Qyteti ishte një bërthamë solidariteti. Një ndër ato që i ka bashkuar më tepër familjet në Durrës është burimi ujor, ka qenë një ndër pasuritë që mungonte më së shumti”, analizoi nga ana urbanistike Artan Kacani, planifikues territori.
“Familjet brenda kalasë ishin shumë të ngjeshura dhe kishin vetëm 70 puse, shkëmbenin me njëri-tjetrin ujin për tu larë, për vaditje dhe nevoja të tjera”, shtoi ai duke sjellë edhe një panoramë të vendosjes së familjeve në territor përgjatë historisë dhe marrëdhënies midis tyre.
Qytetarët që morën pjesë ndanë informacione dhe sugjerime mbi procesin e dokumentimit të historive të familjeve të vjetra dhe ndikimit që ato kanë pasur në qytetin e Durrësit, të cilat do të sillen së shpejti në formë pasaportash përmes një cikli publikimesh në Median Amfora./ Amfora.al