Pushimet tashmë kanë filluar dhe ka nga ato që së bashku me to e konsiderojnë formë relaksi dhe të lexuarit nën një çadër. Vera konsiderohet si koha ideale për të lexuar. Janë jo të paktë lexuesit në plazh vendas e të huaj. Moshat e reja kryesisht, lexojnë historitë rozë, ndërsa mosha e mesme, personazhe të famshëm e të suksesshëm.
Të huajt e kanë kulturë që para se të nisen për pushime, në valixhe nuk u mungojnë as librat. Një çift nga Danimarka pushon në sektorin “Teuta”. Bashkëshorti thotë se nën çadër, buzë detit, mund edhe të lexosh shumë mirë. Madje, mund të lexosh më shumë se ç’ke kaluar nëpër duar një vit të tërë. E kjo vlen kur bën pushime të qeta nën shoqërinë e diellit dhe të detit. “Te ju ka gjithçka që nuk e kemi në Danimarkë, prandaj jemi këtu”, thonë turistët e huaj.
Gjatë verës leximi stimulon dëshirën për të njohur dhe kuptuar. Stina e verës është një stinë e bukur për lexuesin. Zgjedhjet në fund janë të gjitha personale mbi librat.
Ajo që vihet re gjatë periudhës së verës është se njerëzit duan libra të lehtë, histori suksesi, histori dashurie. Nuk duan ta ngarkojnë vetëm me libra që duan përqendrim dhe vëmendje.
K.H.





